Nga inteligjenca artificiale te lidershipi, krizat, jetëgjatësia, trashëgimia, arti dhe sporti lista e J.P. Morgan për 2026 përfshin 14 tituj që pasqyrojnë disa nga temat më të rëndësishme të kohës.
J.P. Morgan ka publikuar listën e saj vjetore të librave të rekomanduar, një përzgjedhje që është kthyer në një guidë leximi për klientët e J.P. Morgan, investitorëve dhe drejtuesve të biznesit.. Sipas bankës, ajo reflekton interesat e klientëve dhe temat që po marrin vëmendje në botën e investimeve dhe të biznesit.
Lista e vitit 2026 përfshin 14 libra dhe, ndryshe nga një listë klasike biznesi, temat shkojnë nga gara për superinteligjencën artificiale te mënyra se si lindin idetë, nga menaxhimi i krizave te kalimi i pasurisë ndër breza dhe nga performanca te arti, kultura dhe sporti. Mes tyre është edhe një libër që trajton një çështje veçanërisht të rëndësishme për family offices: si kalon jo vetëm pasuria, por edhe qëllimi, identiteti dhe përgjegjësia nga një gjeneratë te tjetra.
Ja cilët janë 14 librat e përzgjedhur.
1. “How Great Ideas Happen” — George Newman
Çfarë ndodh përpara se të lindë një ide e madhe? George Newman, shkencëtar në fushën e cognitive science, eksploron procesin pas zbulimeve dhe ideve inovatore, duke u fokusuar te aftësitë që ndihmojnë njerëzit të zbulojnë mundësi të reja.
Për sipërmarrësit dhe drejtuesit, tema është veçanërisht relevante në një ekonomi ku avantazhi shpesh nis me aftësinë për të parë diçka që të tjerët ende nuk e kanë parë.
2. “The Infinity Machine” — Sebastian Mallaby
Sebastian Mallaby tregon historinë e DeepMind dhe të bashkëthemeluesit e CEO-s së saj, Demis Hassabis, duke ndjekur rrugëtimin drejt disa prej përparimeve më të rëndësishme në inteligjencën artificiale. Libri sjell në qendër jo vetëm teknologjinë, por edhe njerëzit, ambicien dhe konkurrencën pas saj.
Në një kohë kur AI po ndryshon mënyrën se si kompanitë punojnë dhe konkurrojnë, historia e DeepMind ofron një perspektivë mbi atë se ku ka nisur kjo garë dhe ku mund të shkojë.
3. “AI for Good” — Josh Tyrangiel
Nëse The Infinity Machine fokusohet te gara për zhvillimin e AI, Josh Tyrangiel shikon se çfarë po bëhet me këtë teknologji në praktikë: njerëz që e përdorin inteligjencën artificiale për të adresuar probleme konkrete.
Libri e zhvendos diskutimin nga potenciali teorik te përdorimet reale perspektivë interesante për bizneset që po përpiqen ta kthejnë AI-n nga trend teknologjik në mjet të dobishëm.
4. “America: The Imagination of a Nation” — Assouline & Joel Stein
Jo çdo libër në listë lidhet me teknologjinë. Ky titull eksploron Shtetet e Bashkuara përmes historisë, kulturës dhe mënyrës se si është ndërtuar identiteti i vendit, duke e vendosur ekonominë dhe biznesin brenda një konteksti më të gjerë kulturor.
5. “Crisis Engineering” — Marina Nitze, Matthew Weaver & Mikey Dickerson
Krizat janë pjesë e realitetit të biznesit, por mënyra se si reagojnë organizatat mund të përcaktojë nëse dalin më të forta apo më të dobëta. Libri fokusohet te mjetet dhe mënyrat e të menduarit për të krijuar qartësi në momente presioni.
Për drejtuesit, tema është praktike: si të marrësh vendime të mira kur informacioni është i kufizuar, koha e shkurtër dhe pasojat të mëdha.
6. “The Coming Storm” — Odd Arne Westad
Konfliktet ndërkombëtare, rivaliteti mes fuqive të mëdha dhe ndryshimet në rendin global ndikojnë në tregti, investime dhe zinxhirë furnizimi. Historiani Odd Arne Westad analizon fuqinë dhe konfliktin, duke parë se çfarë mund të na mësojë historia për zhvillimet që mund të vijnë.
7. “Mattering” — Jennifer Breheny Wallace
Libri eksploron nevojën e njerëzve për të ndjerë se kanë rëndësi, kanë një qëllim dhe i përkasin diçkaje më të madhe. Darin Oduyoye, drejtues i komunikimit në J.P. Morgan Asset & Wealth Management, e ka veçuar si veçanërisht interesant për family offices, të cilat po përballen me tranzicionin e lidershipit dhe kalimin e pasurisë te brezi i ardhshëm.
Në këtë kontekst, trashëgimia nuk është vetëm sa para i kalojnë një gjenerate tjetër, por edhe çfarë vlere, përgjegjësie dhe qëllimi shoqërohet me atë pasuri.
8. “Coachable” — Ric Bucher
Ric Bucher, analist i NBA-së, mbledh mësime nga bisedat me figura si Michael Jordan, Tom Brady dhe Diana Taurasi, duke u fokusuar te rëndësia e të qenit i hapur ndaj feedback-ut dhe përmirësimit të vazhdueshëm.
Edhe pse shembujt vijnë nga sporti, parimi vlen edhe në biznes: njerëzit më të mirë nuk ndalojnë së mësuari vetëm sepse kanë arritur sukses.
9. “The Stimulated Mind” — Dr. Tommy Wood
Neuroshkencëtari dhe mjeku Tommy Wood trajton mënyrën se si mund të ruhet funksionimi i trurit dhe aftësia për të qëndruar i fokusuar me kalimin e viteve. Për një shoqëri ku njerëzit ndërtojnë karriera gjithnjë e më të gjata, ruajtja e performancës mendore bëhet çështje qendrore.
10. “Light and Thread” — Han Kang
Light and Thread sjell në përzgjedhje shkrimtaren koreano-jugore Han Kang, fituese e Çmimit Nobel në Letërsi. Prania e saj i jep listës një dimension letrar, duke treguar se leximi për njerëzit e biznesit nuk kufizohet te librat mbi ekonomi apo teknologji.
11. “Irreplaceable” — World Monuments Fund
Libri fokusohet te 60 vende të konsideruara ndër më të çmuarat e trashëgimisë njerëzore, duke reflektuar mbi atë që njerëzimi zgjedh të ruajë. Në një listë ku shumica e titujve flasin për të ardhmen, ky sjell një kujtesë për vlerën e së kaluarës.
12. “Keith Haring in 3D” — Larry Warsh & Glenn Adamson
Keith Haring është një prej artistëve më të njohur të artit pop dhe kulturës urbane. Libri eksploron veprën e tij nga një perspektivë tredimensionale — një zgjedhje që tregon edhe një herë se lista e J.P. Morgan nuk është thjesht një listë librash biznesi.
13. “Squeeze Me: Lemon Recipes & Art” — Ruthie Rogers & Ed Ruscha
Mes AI-së, gjeopolitikës dhe lidershipit, një libër me receta limoni duket si zgjedhje e pazakontë. Squeeze Me kombinon recetat me artin e Ed Ruscha-s dhe sjell një dimension më të lehtë në një përzgjedhje që përndryshe trajton tema të mëdha.
14. “We Are the World (Cup)” — Roger Bennett
Lista mbyllet me Kupën e Botës. Roger Bennett sjell një histori personale të këtij eventi dhe ndikimit të tij përtej futbollit — sport, biznes, kulturë dhe fenomen global njëkohësisht.
Me investimet në sport që po tërheqin gjithnjë e më shumë interes, titulli sjell edhe një perspektivë mbi mënyrën se si sporti është kthyer në industri me ndikim të madh ekonomik.
Përtej një liste librash
Ajo që e bën interesante listën e J.P. Morgan nuk është numri i librave apo emrat e autorëve, por shumëllojshmëria e temave. AI, inovacioni, lidershipi, performanca, krizat, gjeopolitika, jetëgjatësia dhe tranzicioni ndërgjeneracional janë të gjitha çështje që po ndikojnë mënyrën se si mendohet biznesi dhe kapitali sot. Por lista përfshin edhe artin, letërsinë, trashëgiminë, sportin dhe kulturën.
Për të kuptuar tregjet, duhet të kuptosh njerëzit. Për të kuptuar inovacionin, duhet të kuptosh idetë. Për të kuptuar të ardhmen, duhet të kuptosh edhe historinë. Dhe ndonjëherë, për një listë të mirë librash, duket se ka vend edhe për pak limon.
