Seria “40 Under 40” – Edicioni V · BLOconomy Entrepreneur Club
Pas mbi pesë vitesh eksperiencë klinike, logopedja Megi Gusho vendosi të ndërtonte hapësirën e vet: KOMUNIKA, një klinikë logopedike ku komunikimi trajtohet si diçka më e gjerë se e folura, dhe ku familja është partnere në çdo hap të terapisë.
Në këtë intervistë për BLOconomy, ajo flet për sfidat e të qenit njëkohësisht specialiste dhe sipërmarrëse, për stigmën që ende ekziston rreth vështirësive të gjuhës, dhe për mesazhin që u jep prindërve që presin “se mos i kalon vetë”.
“Një vlerësim logopedik nuk do të thotë që kemi automatikisht një çrregullim. Do të thotë që një profesionist e shikon situatën dhe ju ndihmon ta kuptoni më mirë.”
Rruga dhe fillimi
Pas mbi pesë vitesh eksperiencë klinike, çfarë ju shtyu të themelonit KOMUNIKA-n?
KOMUNIKA erdhi në momentin e duhur dhe bashkoi përvojën time profesionale me vizionin tim personal. Doja të ndërtoja një hapësirë që të pasqyronte plotësisht mënyrën si besoj se duhet të ofrohet logopedia. Eksperienca më kishte mësuar sa shumë ndikojnë komunikimi, mbështetja dhe ndërhyrja e duhur, në kohën e duhur, në jetën e një individi.
Doja që KOMUNIKA të sillte profesionalizëm, respekt dhe empati. Ka qenë dhe mbetet përgjegjësi, por është një nga vendimet profesionale për të cilat ndihem më e sigurt.
Kur e kuptuat se dëshironit të ndërtonit diçka tuajën?
Nuk ka qenë një moment i vetëm. Me kalimin e kohës rriteshin edhe idetë që doja t’i zhvilloja. Pasi mbaron seanca e terapisë, mbetet një individ që do të komunikojë më mirë, një familje që kërkon orientim dhe një proces që kërkon përkushtim dhe vazhdimësi. Kjo më bëri të mendoj për një model pune ku të gjitha këto elemente të bashkoheshin.
Vështirësitë e biznesit
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha?
Të kuptoja që të jesh logopede dhe të ngresh një biznes janë dy role të ndryshme, por që duhej t’i bëja të dyja sa më mirë. Të mësoja të organizoja gjithçka përtej orës së terapisë më ka sfiduar.
Një sfidë tjetër ka qenë krijimi i besimit me familjet. Ky besim ndërtohet vetëm me rezultate dhe konsistencë. Edhe ndërgjegjësimi për rëndësinë e logopedisë është sfidë, sepse shumë njerëz ende nuk kanë informacionin e duhur për këtë shërbim.
Çfarë do të ndryshonit nëse do ta nisnit sërish?
Në fushën e shëndetit përgjegjësia është më e madhe, sepse vlen mirëqenia e individit më shumë se rezultati ekonomik. Në fillim doja çdo gjë ta bëja vetë, por kuptova që disa gjëra funksionojnë më mirë kur ke një strukturë. Edukimin e publikut do ta shihja që në fillim si pjesë të vizionit, jo thjesht si marketing. 
Logopedia në Shqipëri
Çfarë mungon më shumë: specialistë, informim apo akses?
Informimi i saktë është sfida më e madhe. Ka shumë informacione kontradiktore dhe pak bashkëpunim multidisiplinar. Mungon kultura e vlerësimit të hershëm si hap parandalues. Logopedia shihet gjithashtu vetëm si shërbim për fëmijët, ndërkohë që edhe të rriturit përjetojnë vështirësi në komunikim.
Aksesi ka rëndësi, sepse nuk mjafton që shërbimi të ekzistojë. Njerëzit duhet të dinë çfarë u nevojitet, ku ta gjejnë dhe çfarë të presin.
Çfarë u thoni prindërve që presin “se mos i kalon vetë”?
Vitet e para janë periudha ku zhvillimi është më intensiv. Sa më herët ta kuptojmë ku qëndron vështirësia, aq më shpejt e përshtasim mbështetjen. Një vlerësim nuk do të thotë automatikisht çrregullim.
Unë insistoj te ndërhyrja e hershme jo për të alarmuar prindërit, por për t’i ndërgjegjësuar. Është më e dobishme të marrësh informacion dhe siguri profesionale, sesa të kalosh edhe më shumë kohë duke pritur.
A ekziston ende stigmë?
Perceptimi po ndryshon, por stigma ekziston ende, së bashku me pasigurinë dhe frikën. Një vështirësi, apo edhe një diagnozë, nuk e përkufizon fëmijën apo të rriturin. Prindërit kanë nevojë të dëgjohen dhe të orientohen, jo t’u shtohet ndjenja e fajit.
“Në KOMUNIKA synoj që familjet ta përjetojnë konsultën si një hap drejt mbështetjes.”
Qasja e KOMUNIKA-s
Si funksionon roli i familjes në praktikë?
Zhvillimi i komunikimit nuk ndodh vetëm gjatë seancës. Ndodh në shtëpi, gjatë lojës dhe në rutinat e përditshme. Procesi nis me vlerësimin fillestar, pastaj përshtatim objektivat terapeutike sipas nevojave të fëmijës dhe orientojmë prindërit.
Prindi nuk merr përsipër rolin e specialistit. Ai mbështet fëmijën në jetën e përditshme, ndërsa logopedi vlerëson, planifikon dhe monitoron progresin. Suksesi matet me mënyrën si fëmija e përdor komunikimin për të shprehur nevojat, për të krijuar marrëdhënie dhe për të marrë pjesë aktive në përditshmëri.
Çfarë e dallon KOMUNIKA-n?
Komunikimi shihet si proces kompleks, që lidhet me të kuptuarit, ndërveprimin social dhe të nxënit, jo vetëm me të folurin. Nuk besoj te një qasje e njëjtë për të gjithë, por te vlerësimi individual dhe strategjitë e përshtatura. KOMUNIKA është një projekt në zhvillim, që bashkon profesionalizmin, qasjen individuale dhe marrëdhënien njerëzore.
Programet e reja dhe vizioni
KOMUNIKA ofron programin “Komunikimi fillon në shtëpi”, një program praktik për prindërit që duan të jenë pjesë aktive e zhvillimit të gjuhës së fëmijës. Klinika ofron edhe mbështetje profesionale për institucionet parashkollore, sepse komunikimi zhvillohet më së miri aty ku fëmija mëson, luan dhe ndërvepron çdo ditë.
Vizioni i Megi Gushos është që KOMUNIKA të bëhet qendër referuese për logopedinë në Shqipëri. Hapat konkretë:
- trajnim i vazhdueshëm profesional;
- programe terapeutike bashkëkohore, të bazuara në evidencë;
- bashkëpunim me profesionistë të shëndetit dhe arsimit;
- workshope dhe materiale për prindërit;
- dokumentim i progresit për çdo familje.
Njohja dhe këshilla
Çfarë do të thotë për ju renditja në “40 Under 40”?
Është një vlerësim i rëndësishëm për rrugëtimin tim dhe një mundësi për të sjellë më shumë vëmendje te logopedia dhe te rëndësia e komunikimit. Është edhe motivim për të vazhduar të investoj dhe të krijoj bashkëpunime të reja.
Çfarë këshille u jepni profesionistëve të rinj të shëndetit që duan të nisin biznesin e tyre?
Shpesh presim të jemi plotësisht gati para se të ndërmarrim një hap të tillë. Përgatitja ka rëndësi, por shumë gjëra do t’i mësosh gjatë rrugës. Një biznes në shëndetësi duhet të ndërtohet mbi standard profesional dhe përgjegjësi ndaj njerëzve, dhe rritja duhet të ecë gjithmonë paralelisht me etikën dhe cilësinë.
“Mos i krahasoni fillimet tuaja me ata që janë në një fazë të konsoliduar. Çdo sipërmarrje ka ritmin e vet. Besojini procesit.”

Rreth KOMUNIKA
KOMUNIKA është klinikë logopedike e themeluar nga Megi Gusho, me fokus te ndërhyrja e hershme, vlerësimi individual dhe bashkëpunimi me familjen. Klinika ofron vlerësim dhe terapi logopedike, programin për prindër “Komunikimi fillon në shtëpi” dhe mbështetje profesionale për institucionet parashkollore.
Megi Gusho është pjesë e listës “40 Under 40” – Edicioni V i BLOconomy si dhe anetare e entrepreneur Club.
