- Cili është kujtimi më i fortë që ju ka formësuar si person dhe ju ka mësuar të mos dorëzoheni?
Kujtimi më i fortë që më ka formësuar dhe më ka bërë ajo që jam sot lidhet me marrëdhënien time me babain. Sfida për t’i treguar se mund t’ia dal vetë, me forcat e mia, ka qenë motivimi më i madh i jetës sime. Kjo përpjekje për të fituar respektin e tij dhe për të dëshmuar aftësinë time më mësoi se pavarësia nuk është vetëm një qëllim, por një mënyrë jetese. Kjo është edhe arsyeja pse kam luftuar gjithmonë për të qenë e pavarur nga burrat qofshin partnerë, kolegë apo edhe im atë duke ndërtuar identitetin tim mbi bazën e forcës dhe qëndrueshmërisë personale.
- Si do ta përshkruanit veten përtej biznesit kush është Dorina kur mbyllen dritat e zyrës?
Përtej orëve të gjata në punë, pas angazhimeve të shumta dhe ritmit intensiv që kërkon sektori ku operoj, Dorina është mbi të gjitha një nënë, një bijë dhe një mike që e vlerëson thellësisht familjen dhe njerëzit e zemrës. Koha me ta është mënyra ime për t’u rikthyer te rrënjët, për të balancuar energjinë dhe për të ndjerë kuptimin e jetës. Në fund të ditës, suksesi profesional nuk ka vlerë nëse nuk ke me kë ta ndash.
- Cilat kanë qenë momentet që ju kanë testuar më shumë si grua, si nënë dhe si lidere?
Jeta më ka vendosur përballë shumë sfidave që më kanë testuar në secilën prej këtyre roleve. Si grua, sfida më e madhe ka qenë ajo me shëndetin një periudhë që më mësoi sa e brishtë mund të jetë gjithçka, por edhe sa forcë mund të gjejmë brenda vetes kur na duhet të ringrihemi. Si nënë, momentet më të vështira kanë qenë ato kur jeta profesionale më ka detyruar të jem larg fëmijëve të mi; ndjesia e mungesës nuk zhduket kurrë, por më ka bërë ta vlerësoj më shumë çdo moment me ta. Si lidere, çdo ditë është një provë me vendime të vështira, përgjegjësi të mëdha dhe sfida të paparashikuara. Por është pikërisht kjo që më mban gjallë pasionin.
- Si e mbani balancën midis perfeksionit që kërkon puna juaj dhe paqes personale?
Balanca është ndoshta sfida më e madhe e çdo profesionisti që e do me pasion atë që bën. Unë jam me fat që e dashuroj punën time dhe kjo e bën çdo lodhje më të lehtë. Por kam mësuar se suksesi i vërtetë vjen kur di të ndalosh. Marr kohë për veten, për t’u shkëputur herë pas here, për të konsumuar një drekë të qetë me miqtë e mi, për të bërë sport apo palestër, dhe për të ushqyer mirëqenien emocionale. Paqja me veten është ajo që më jep energji për t’u përballur me çdo ditë të re.
- Shpesh ju identifikojnë me elegancën dhe forcën si arrini t’i bashkoni këto dy cilësi në stilin tuaj të udhëheqjes?
Sektori ku unë punoj është vetë një kombinim i këtyre dy cilësive eleganca dhe forca. Eleganca vjen nga mënyra se si mendon, se si komunikon dhe se si përfaqëson veten, ndërsa forca buron nga pasioni për atë që bën. Unë besoj se forca e një gruaje që udhëheq qëndron te autenticiteti dhe dashuria për punën e saj. Këto dy elemente, kur bashkohen, krijojnë frymëzim dhe respekt dy shtylla pa të cilat nuk mund të ndërtohet lidershipi i vërtetë.
- Kush ka qenë personi ose përvoja që ju ka frymëzuar më shumë për t’u bërë ajo që jeni sot?
Nuk mund të veçoj një person të vetëm, sepse çdo etapë e jetës më ka sjellë njerëz dhe përvoja që më kanë dhënë diçka të vlefshme. Kam mësuar nga suksesi i të tjerëve, por edhe nga gabimet e mia. Çdo takim ka lënë një gjurmë. Mbi të gjitha, ajo që më ka frymëzuar më shumë ka qenë besimi në vetvete, dëshira për të mësuar vazhdimisht dhe ambicia për të mos u dorëzuar pavarësisht pengesave.
Frymëzimi: Çdo njeri dhe përvojë në rrugëtim ka lënë gjurmë — më e forta, besimi në vetvete.
- Çfarë ju bën të ndiheni krenare për veten përtej arritjeve profesionale?
Familja ime dhe fëmijët e mi janë krenaria ime më e madhe. Përtej tyre, ndjej krenari për forcën që kam treguar në çdo etapë të jetës, për karakterin tim që nuk u lëkund përballë sfidave, dhe për faktin që kam ruajtur gjithmonë vlerat dhe empatinë dy gjëra që nuk duhen humbur kurrë, sado e ashpër të jetë bota e biznesit.
- Në një moment reflektimi, për çfarë ndiheni më mirënjohëse në këtë rrugëtim?
Jam mirënjohëse për çdo përvojë që më ka ndihmuar të rritem. Mbi të gjitha, jam mirënjohëse vetes sime që nuk ndalova kurrë së mësuari, që nuk u frikësova nga puna dhe që nuk thashë kurrë “jo” ndaj asnjë sfide që më vinte përpara. Çdo përvojë, e mirë apo e vështirë, ka qenë një mësim që më ka formuar.
- Si i përballoni ditët e vështira a keni një ritual, një mendim apo një zakon që ju ndihmon të riktheni energjinë?
Në ditët e vështira zgjedh të shkëputem për pak kohë, të marr frymë thellë dhe të rikthehem te vetja. Shëtitjet në natyrë, muzika dhe momentet e qeta vetëm me veten janë mënyra ime për të rifituar qetësinë dhe fokusin. Më pas, gjithmonë kthehem më e fortë, sepse besoj se çdo vështirësi ka një mësim të fshehtë brenda saj.
- Nëse do t’i jepnit një këshillë vajzës që dikur nisi këtë rrugë, cila do të ishte ajo?
Do t’i thoja: mos ki frikë të jesh ndryshe. Mos u ndal kur të thonë që nuk ia vlen, dhe mos kërko aprovimin e askujt për të ndjekur ëndrrat e tua. Rruga do të jetë e vështirë, por çdo pengesë do të të forcojë. Mëso nga gjithçka, beso te vetja dhe mos harro se suksesi nuk është vetëm në atë që arrin, por në mënyrën si ecën drejt tij.
- Çfarë do të donit që njerëzit të dinin për Dorina Shamon, përtej imazhit publik?
Përtej imazhit të një gruaje të fortë e të suksesshme, që udhëheq me vendosmëri dhe vizion, ekziston një Dorinë shumë njerëzore një grua që ndjen, që ka frikë, që gabon, por që ngrihet gjithmonë me të njëjtën forcë e dashuri për jetën. Një Dorinë që i vlerëson gjërat e vogla, që beson te mirësia dhe që përpiqet çdo ditë të bëjë diçka që lë gjurmë pozitive tek të tjerët.
