Eldona Sipri
Historia e një gruaje që ka kthyer profesionin në art dhe pasionin në shërbim ndaj njeriut
1. Si lindi pasioni juaj për stomatologjinë – a ka qenë gjithmonë një ëndërr apo një rrugë që u zbulua me kohën?
Pasioni im për detajet lindi bashkë me rritjen time – dhe po ashtu edhe për stomatologjinë. Fillimisht zgjodha laboratorin klinik, por e kuptova shpejt që nuk ishte rruga që më përkiste. Më tërhoqi ndërthurja midis artit, shkencës dhe kujdesit ndaj njerëzve. Ishte një thirrje që u bë gjithnjë e më e qartë me kalimin e viteve – një rrugëtim që u formësua me kohën, jo një vendim i menjëhershëm.
2. Cila ishte ideja që ju shtyu të krijonit klinikën tuaj dentare dhe ta shndërronit atë në një emër të besueshëm në fushën e shëndetit oral dhe estetikës?
Për mua, buzëqeshja e kuruar është pasaporta e vetëbesimit. Kur vendosa të krijoja klinikën time, ideja ishte e thjeshtë: profesionalizëm, përpikmëri dhe durim. Besoj se rezultatet e mëdha vijnë nga fitoret e vogla të arritura me disiplinë dhe punë të përditshme. Ky parim e ka udhëhequr klinikën që nga dita e parë.
3. Si ka evoluar profesioni i dentistit sot, në një kohë kur teknologjia dhe estetika janë bërë pjesë e pandarë e trajtimeve?
Sot, stomatologjia është sintezë e shkencës, artit dhe teknologjisë. Ne kemi mundësi të rikthejmë buzëqeshjen me precizion dhe elegancë, por thelbi mbetet i njëjtë — kujdesi për njeriun. Teknologjia është mjeti, pacienti dhe mirëqenia e tij janë qëllimi.
4. Cili ka qenë momenti më i vështirë në rrugëtimin tuaj profesional dhe si e kaluat atë?
Do gënjeja nëse do thosha se nuk ka patur sfida — apo se nuk do ketë më. Por kam mësuar të dëgjoj “zërin e brendshëm” që të tregon kur je në rrugën e duhur. Zgjidhja ime ka qenë trajnimi i vazhdueshëm: çdo vit investoj në rritjen profesionale për të fituar siguri dhe për të qenë gjithmonë në hap me risitë e fushës.
5. Si arrini ta balanconi rolin e mjekes me atë të sipërmarrëses – dy fusha që kërkojnë përkushtim të plotë?
Balanca nuk është gjithmonë e lehtë. Por një gjë e di mirë: të ardhurat nuk mund të jenë kurrë më të mëdha se identiteti im. Ky është parimi që më mban me këmbë në tokë dhe që më kujton çdo ditë pse e bëj këtë punë.
6. Cila është filozofia që udhëheq punën tuaj dhe çdo vendim në klinikë?
Gjithçka nis nga komunikimi dhe bashkëpunimi mjek–pacient. Një pacient i informuar kupton se shëndeti oral është i lidhur me mirëqenien e gjithë organizmit. Në çdo procedurë qëndron profesionalizmi, cilësia dhe empatia. Çdo buzëqeshje ka një histori unike — detyra jonë është ta bëjmë atë më të shëndetshme, më të bukur dhe më të sigurt.
7. Cila është një gjë që shumica e njerëzve nuk e dinë për punën e dentistit, por do të donit ta kuptonin më mirë?
Dentisti është shumë më tepër se një mjek. Ai është dëgjues, psikolog dhe motivues. Ne ndihmojmë njerëzit të përballojnë frikën, t’i rikthehen vetes dhe të buzëqeshin sërish pa hezitim. Neglizhenca në kontrolle sjell pasoja serioze — kujdesi periodik është parandalimi më i mirë.
8. Si i motivoni pacientët tuaj të kujdesen për shëndetin oral, përtej pjesës estetike?
Kontrolli periodik është një sinjal i kuq që s’mund të injorohet. U kujtoj pacientëve se një buzëqeshje e shëndetshme reflekton një organizëm të shëndetshëm. Caviteti oral është porta hyrëse e çdo sëmundjeje. Nuk është turp të përdorësh fill dentar në publik — është shenjë kulture dhe vetëkujdesi.
9. Ju jeni pjesë e listës “40 Under 40” — çfarë ka përfaqësuar për ju ky vlerësim dhe çfarë mesazhi doni të përcillni për të rinjtë?
Ky vlerësim është një kujtesë se këmbëngulja dhe puna e përditshme sjellin shpërblimet e duhura. Këshilla ime për të rinjtë është të punojnë me pasion dhe të mos mendojnë menjëherë për fitimin – sukseset e qëndrueshme ndërtohen në heshtje.
10. Cilat janë tre vlera që ju udhëheqin si profesioniste dhe si njeri?
-
Revolucioni përmes vullnetit: gjërat e vështira ndërtohen me guxim.
-
Rritja e përhershme: talenti nuk është gjenetikë, por zakon.
-
Përkushtimi i qetë: duhen vite punë në heshtje përpara se të vijë ekspertiza dhe mençuria. Frika është shenjë se po rritesh.
+1. Cili është vizioni juaj për të ardhmen e klinikës dhe zhvillimin e estetikës dentare në Shqipëri?
Buzëqeshjet nuk janë uniformitet, janë autenticitet. Synimi im është të nxjerr në pah bukurinë unike të çdo pacienti dhe të ndërtojmë një kulturë të re të buzëqeshjes — ku shëndeti, estetika dhe vetëbesimi bashkohen në harmoni. Dua që ekipi im të përbëhet nga njerëz që ndajnë të njëjtin vizion: ta bëjnë kujdesin dentar një eksperiencë që frymëzon.
