
Qendra më e madhe tregtare në Shqipëri nuk dallohet nga komplekset e mëdha prej xhami dhe çeliku në ndonjë qytet tjetër të madh evropian – dhe ky është qëllimi.
“Kjo është pasuria jonë kryesore. Është 100% e dhënë me qira,” thotë me krenari Samir Mane, duke renditur një listë qiramarrësish, përfshirë shitësit e veshjeve H&M dhe Zara, restorantin e parë të sushit në Shqipëri, si dhe disa prej bizneseve të tij, duke përfshirë një dyqan veshjesh, një dyqan lodrash dhe një zinxhir të elektronikës për konsumatorët. “Njerëzit duan t’i prekin produktet. Ne kemi çdo biznes fizik që ekziston në Shqipëri.”
I veshur me një xhaketë blu të errët mbi një bluzë polo të zezë të markës Lacoste, Mane mund të ngatërrohej lehtësisht me ndonjë nga vizitorët. Por 57-vjeçari është miliarderi i parë – dhe i vetëm – i Shqipërisë, njeriu më i pasur në këtë vend të vogël mesdhetar me vetëm 2.8 milionë banorë. Falë investimeve të tij në tregti, pasuri të paluajtshme dhe bankë, ai ka ndërtuar një pasuri prej 1.4 miliardë dollarësh, sipas vlerësimeve të Forbes, duke e renditur në listën e miliarderëve të botës për vitin 2025. Kjo është diçka që ai kurrë nuk e kishte imagjinuar si një refugjat 23-vjeçar që ikte nga regjimi komunist shqiptar në vitin 1991. “Kurrë nuk kam menduar se kjo ishte e mundur. Ëndrra ime ishte të kisha një shtëpi apo një makinë,” thotë ai.
Sot, konglomerati i tij BALFIN Group operon në 10 vende dhe në vitin 2024 regjistroi një fitim neto prej 120 milionë dollarësh nga shitje prej 880 milionë dollarësh – një rritje prej 31% dhe 14% krahasuar me vitin 2023. Rreth 62% e të ardhurave vijnë nga sektori i shitjes me pakicë, ndjekur nga pasuritë e paluajtshme me 20%, bankingu me 9%, dhe logjistika e menaxhimi i aseteve përbëjnë pjesën tjetër. Mane zotëron të gjithë grupin, por ka sjellë partnerë në qendrat tregtare, zinxhirët e shitjes dhe projektet e zhvillimit të pasurive të paluajtshme.
Gjurmët e tij janë të dukshme në gjithë kryeqytetin shqiptar, ku ai jeton që nga rikthimi në vendlindje në vitin 2005. Ai është pronar i Tirana Bank, banka e pestë më e madhe në vend; zinxhiri i tij i elektronikës Neptun është më i madhi në Shqipëri; dhe deri në mars të këtij viti, ishte gjithashtu pronar i zinxhirit më të madh të supermarketeve në vend, të cilin e shiti për 48 milionë dollarë.
Duke udhëtuar nëpër qytet me Mercedes-Maybach-un e tij të zi, ai i tregon shoferit drejt Rolling Hills, një kompleks rezidencial luksoz që ka ndërtuar vetë dhe ku zotëron një vilë prej 3,000 metrash katrorë.
“E bleva tokën në vitin 2008, ishte shumë e lirë atëherë,” thotë ai, duke parë drejt 153 vilave në stil neoklasik me pamje nga malet përreth të Skënderbeut. Vlera e tokës në këtë zonë është rritur më shumë se dhjetëfish që atëherë, dhe Mane ka vazhduar të ndërtojë. Ngjitur ndodhet një tjetër projekt i Balfin, Collina Verde, ndërsa një tjetër kompleks po ndërtohet pranë një liqeni artificial, me një kosto të pritshme prej 240 milionë dollarësh dhe që pritet të përfundojë në vitin 2028.
Pasuria e Manes nuk ndalet në kufijtë e Shqipërisë. Ai zotëron dyqane me pakicë në gjithë rajonin përreth: Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut – përfshirë Skopje East Gate, qendra më e madhe tregtare në Maqedoninë e Veriut. Përtej Ballkanit Perëndimor, ai ka nisur të investojë edhe në ndërtesa apartamentesh dhe zyra në Austri dhe Kanada, si dhe në New York e New Jersey.
Duke shpjeguar qasjen e tij, ai përmend mësimet që ka nxjerrë nga librat e ikonave të biznesit amerikan, si ish-drejtori legjendar i General Electric, Jack Welch:
“Welch thoshte se duhet të jesh i diversifikuar. Shqipëria është një vend i vogël, ndaj menduam: pse të mos shkojmë në vende të tjera dhe në industri të tjera?”
Mane ka lindur në vitin 1967 në qytetin jugor të Korçës, gjatë sundimit të Enver Hoxhës, diktatorit komunist që mbajti pushtetin për dekada në Shqipëri. Udhëtimet brenda vendit ishin të kufizuara rreptësisht dhe Mane rrallëherë largohej nga qyteti i tij deri në moshën 18-vjeçare, kur shkoi në Tiranë për të ndjekur studimet universitare në degën e gjeologjisë.
“Unë nuk e zgjodha gjeologjinë. Ishte Partia që vendoste se çfarë do të studioje,” kujton ai. Gjatë viteve të universitetit, Mane blinte mish për të bërë qoftet, të cilat i shiste për studentët e tjerë për të fituar disa para shtesë — derisa, gjashtë muaj pasi nisi këtë punë anësore, autoritetet e ndaluan.
Në vitin 1991, ndërkohë që ishte ende student, ai vendosi të arratisej nga vendi për të kërkuar një jetë më të mirë. Mori një vizë austriake nga një agjenci udhëtimesh dhe udhëtoi me autobus për 36 orë pa ndalesë deri në Vjenë, ku u regjistrua si refugjat. (Më vonë mësoi se viza ishte false, por askush nuk e ndaloi.)
Ai kaloi më shumë se gjashtë muaj në një kamp refugjatësh, duke studiuar gjermanishten në mënyrë autodidakte, derisa arriti një nivel të mjaftueshëm për të aplikuar në Universitetin Teknik të Vjenës për të vazhduar studimet në gjeologji. Në vitin 1992, regjimi komunist në Shqipëri ra.
“Shqipëria filloi të hapej dhe njerëzit vinin në Vjenë për të blerë elektronikë. Kështu që pashë një mundësi,” thotë ai.
Ai braktisi universitetin në vitin 1993 dhe fillimisht punoi si përkthyes për disa eksportues, derisa vendosi të futej vetë në biznes. Po atë vit, themeloi një kompani të quajtur Alba-Trade, e cila blinte video recorder-a, radio, televizorë dhe pajisje shtëpiake në Austri dhe i dërgonte në Shqipëri. Ai vetë i ngarkonte kamionët dhe bënte rrugën dy-ditore nga Vjena në Tiranë, duke fjetur brenda në kamion për të kursyer para dhe për të ruajtur mallrat. Pasi mbërrinte në Tiranë, parkonte diku dhe klientët vinin vetë.
“I shitëm të gjitha brenda në kamion për tre orë,” thotë ai.
“Por në Austri kuptova që produktet mund të shiten në mënyrë të rregullt, në dyqane.”
Për të kuptuar më mirë biznesin, Mane lexoi libra jo vetëm nga Jack Welch, por edhe nga Sam Walton, themeluesi i Walmart.
“Njëri më mësoi si të drejtoj një biznes me pakicë, dhe tjetri më mësoi si të drejtoj një korporatë,” thotë ai.
Ai hapi dyqanin e parë Neptun që shiste televizorë dhe pajisje shtëpiake në Tiranë në vitin 1996. Dy vite më vonë, u zgjerua në Maqedoninë e Veriut dhe më pas në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, duke u bërë një nga të parët që hyri në këto tregje të reja pas shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ’90.
“Ai është një vizionar që e ka idenë e duhur në momentin e duhur. Identifikoi nevojën për pajisje elektroshtëpiake në Ballkanin Perëndimor në një kohë kur nuk kishim as lavatriçe,” thotë Edlira Muka, CEO e BALFIN Group. Suksesi i Manes pasqyronte gjithashtu edhe bum-in ekonomik që përjetonin këto vende ndërsa kalonin drejt kapitalizmit.
“Ai përfaqëson një nga konglomeratet më të mëdha në Shqipëri dhe është një shenjë e rritjes ekonomike dhe e ndryshimit që ka përjetuar vendi,” shton Martin Mata, bashkë-CEO i Albanian-American Enterprise Fund (AAEF), një fond jofitimprurës investimi i krijuar në 1995 për të ndihmuar Shqipërinë në tranzicionin drejt ekonomisë së tregut.
Deri në fillim të viteve 2000, Mane kishte ndërtuar një perandori të elektronikës në Ballkanin Perëndimor, me 19 dyqane dhe me të ardhura prej 50 milionë dollarësh, duke siguruar shumicën e produkteve nga Azia. Por duke parë suksesin e markave perëndimore dhe qendrave tregtare në Europën Lindore post-komuniste, ai mendoi se mund të bënte të njëjtën gjë në Shqipëri. Në vitin 2005, ai zhvendosi familjen nga Vjena në Tiranë për të ndërtuar qendrën e parë tregtare në vend, në periferi të kryeqytetit.
Për ta bërë funksional qendrën tregtare, i duhej një supermarket si pika kyçe. Kështu, Mane udhëtoi nëpër Europë, duke u takuar me drejtues të zinxhirëve të supermarketeve për t’i bindur të hapnin dyqane në Shqipëri.
“Më thoshin: ‘Zoti Mane, ne i shohim shifrat e PBB-së. Askush nuk po vjen,’” kujton ai. (Në atë kohë, PBB-ja e Shqipërisë ishte vetëm 8 miliardë dollarë, krahasuar me 24 miliardë dollarë sot.)
“Kështu që vendosa ta hap vetë një zinxhir supermarketesh. Punësova një francez nga Carrefour dhe ndërtova supermarketin e parë modern në Shqipëri.”
Lexo gjithashtu: Sipërmarrësit e ENTREPRENEUR CLUB takim me Samir Mane
Ishte një lëvizje ambicioze. Në atë kohë, mbi 30% e ekonomisë shqiptare ishte informale, e përqendruar në sektorë të parregulluar që nuk paguanin taksa. Samir Mane duhej të bindte një popull të tërë që të përqafonte kapitalizmin në stilin perëndimor dhe të blinte produkte në qendra tregtare në vend të tregjeve të lagjes.
“Askush, as babai im, nuk besonte se do të funksiononte,” thotë Mane.
“Më thoshin: ‘Pse duhet dikush të udhëtojë dy orë për të blerë domate?’” Fillimisht, Mane e pati të vështirë të gjente investitorë – madje edhe fondet që sot e mbështesin, atëherë ishin skeptike.
“Nuk ishim të bindur,” kujton Aleksandër Sarapuli, bashkë-CEO i Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF).
Megjithatë, Mane arriti të bindte Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që të investonte 15 milionë dollarë në formën e borxhit dhe kapitalit për zinxhirin e tij të supermarketeve. Në tetor të vitit 2005, ai hapi Qendrën Tregtare Univers në Tiranë, ku vendosi një dyqan Neptun dhe pikën e parë të Euromax, zinxhiri i tij i ri i supermarketeve. Ditën e hapjes, rrugët ishin të mbushura me makina dhe vetë Mane doli të drejtonte trafikun në parkimin e vogël.
“Për të gjithë skeptikët, kishim mijëra njerëz që prisnin në autostradë,” shton Steven Grunerud, CFO kanadez i BALFIN Group, të cilin Mane e punësoi në vitin 2007 nga banka Raiffeisen në Austri për të profesionalizuar kompaninë.
Më vonë, kur vendosi të hapte edhe më të madhin Tirana East Gate (TEG), Mane tashmë e kishte provuar modelin e tij dhe kishte fituar besimin e investitorëve.
“Ai nuk pretendonte se dinte si të menaxhonte një qendër tregtare, por mori ekspertizë, ndoqi modelet dhe dëgjoi njerëzit që e dinin si bëhej,” thotë Mata nga AADF, i cili tregon se fondi trefishoi investimin e tij kur shiti pjesën e aksioneve te Mane në mars.
Pas suksesit të tij në tregtinë me pakicë dhe ndërtimin e qendrave tregtare, Samir Mane filloi të luante një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare, duke investuar në sektorë të ndryshëm.
Shumë nga këto investime kanë rezultuar të suksesshme: në vitin 2019 dhe 2020, Mane bleu Tirana Bank nga banka greke në vështirësi Piraeus Bank për 64 milionë dollarë. Sot, banka ka 1.7 miliardë dollarë në aktive dhe vlerësohet në rreth 155 milionë dollarë.
Megjithatë, jo të gjitha ndërmarrjet kanë sjellë përfitime. Në vitin 2022, ai bleu rrjetin televiziv Scan TV, të specializuar në lajme financiare, por e shiti vetëm një vit më vonë, duke pësuar një humbje prej rreth 2.2 milionë dollarësh.
Rritja e pasurisë dhe ndikimit të tij ka sjellë edhe më shumë vëmendje publike dhe hetime. Në tetor 2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) arrestoi ish-presidentin Ilir Meta me akuza për korrupsion. Në dokumentet e hetimit, Mane—ndonëse nuk është akuzuar apo hetuar për asnjë vepër penale—u përmend si personi që kishte ofruar një vilë në kompleksin Rolling Hills, me vlerë afër 1 milion dollarë, për Metën dhe bashkëshorten e tij të atëhershme, Monika Kryemadhi, deputete në Kuvend (Meta ka apeluar arrestin dhe Kryemadhi i ka mohuar akuzat).
“Nëse je një biznesmen i njohur në Shqipëri, është normale të kesh lidhje të forta me politikën,” shpjegon Afrim Krasniqi, profesor i shkencave politike në Universitetin e Tiranës.
“Nuk është surprizë që Mane kishte lidhje me Metën.”
Vetë Mane i mohon kategorikisht akuzat, duke i quajtur “të pabaza dhe të rrëzuara nga autoritetet shqiptare.”
“Nuk kam pasur kurrë në jetë hetim, akuzë apo ndjekje penale, as për këtë çështje, as për ndonjë tjetër,” deklaron ai.
Në një treg ekonomik të vështirë dhe shpesh të paqëndrueshëm si ai i Shqipërisë, Samir Mane krenohet me faktin se nuk ka marrë pjesë në privatizimet e ndërmarrjeve shtetërore në vitet ’90 dhe nuk është përfshirë në politikë.
“Nuk kam qenë kurrë në politikë dhe nuk është as qëllimi im,” thotë ai.
“Nuk kam marrë pjesë në asnjë privatizim. Në vendet ish-komuniste, nëse je i pasur, njerëzit të konsiderojnë oligark. Por unë e kam ndërtuar pasurinë time në Austri dhe jam kthyer.”
Sot, Mane po shikon përtej kufijve shqiptarë, duke synuar zgjerimin në Evropën Lindore. Ai po planifikon të hapë një franchise të re të Jumbo, zinxhirit grek të lodrave, në Moldavi. Gjithashtu, ka nënshkruar një marrëveshje me Flying Tiger Copenhagen, një rrjet danez dyqanesh me artikuj të ndryshëm, me planin për të hapur 50 dyqane në katër vitet e ardhshme.
Por besimi i tij në potencialin e Shqipërisë mbetet i palëkundur, veçanërisht kur bëhet fjalë për turizmin ndërkombëtar, të cilin e sheh si faktorin kyç për transformimin ekonomik të vendit.
Mane është pronar i Green Coast, një zhvillim luksoz buzë detit Adriatik që pritet të përfshijë hotele nga marka të njohura si Accor, Grand Melia dhe Hyatt, së bashku me 2,600 vila dhe apartamente. Faza e parë e projektit, që ka një kosto totale prej 900 milionë dollarësh, u hap në vitin 2022, dhe Mane ka fituar tashmë rreth 150 milionë dollarë nga shitja e pronave.
“Është një projekt i jashtëzakonshëm, do të ecim shumë mirë,” thotë ai me bindje. Por ai nuk është i vetmi që ka vënë syrin mbi bregdetin shqiptar, i cili rivalizon me atë të Kroacisë, por pa turmat.
- Mohamed Alabbar, miliarderi nga Dubai, po zhvillon një resort luksoz me një marina për superjahta, me një investim prej 2.5 miliardë dollarësh në veri të vendit.
- Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump dhe firma e tij e investimeve, Affinity Partners, kanë në plan një zhvillim luksoz prej 1.5 miliardë dollarësh në ishullin e Sazanit, në jug të Shqipërisë.
Për Mane, sa më shumë investime të huaja në Shqipëri, aq më mirë:
“Më pëlqejnë këto projekte, shpresoj t’i realizojnë. Do të jetë fantastike për Shqipërinë,” thotë ai.
“Më shumë vizitorë nga jashtë do të thotë më shumë klientë për dyqanet tona dhe më shumë blerës për vilat tona. Retail, real estate dhe turizëm. Ky është e ardhmja jonë.”
Link-u në vijim të drejton te versioni origjinal i shkrimit në Forbes:
6mszab
3is90y
ukfq09