40 under 40 dhe sfidat e sipërmarrjes në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut
Autor: Artan Hoxha, Board Member
Kur Blerina me ftoi të isha pjesë bordit për vlerësimin e sipërmarrjeve “40 under 40”, me sinqeritet e them se fillimisht isha skeptik. Edhe më parë kam marrë ftesa kësisoj për anëtar në borde shoqatash a juri të ndryshme dhe me përjashtime shumë të rralla, kam refuzuar. Arsyeja e thjeshtë – shumica fluska sapuni, organizata ndërtuar për të marrë ca fonde donatoresh a sponsorizime biznesesh.
Për fat nuk refuzova menjëherë, diçka me tërhoqi vëmendjen, me nxiti kureshtjen. Përgjigjet e Blerinës ndaj pyetjeve të mia me zbuluan një realitet të ri e më vlerë për tu njohur me nga afër, më nga brenda.
Me kalimin e javëve e duke marrë pjesë, sipas rastit drejtpërdrejt apo nga distanca, në aktivitetet e përmuajshme të miqve e partnerëve të BLOconomy arrita të realizoj se po kisha të bëja me një vetorganizim entuziast e miqësor sipërmarrësish të moshave të reja e të mesme, një “rrace e re” sipërmarrësish, shumë e ndryshme, mjaft me e evoluar dhe më e emancipuar se sipërmarrësit klasikë, që nga ata pionieret e parë që u kuturisën në aventurat e tregut në fillimet e viteve 90, tek ata të mëpastajmit të fillim viteve 2 mijë, që iu desh të bënin kompromise të mëdha mbijetese në një mjedis të ashpër konkurrence, me një shtet të dobët, të korruptuar e shpesh armiqësor, një popullsi në nivelin e nevoja bazë, në migrim të lartë, të brendshëm e të jashtëm, dhe një kriminalitet banditesk agresiv e në rritje.
Tipologjinë e sipërmarrësve të dekadës së fundit fillimisht e preka përmes studentëve të Tirana Business University College (TBU) – disa syresh, çdo vit gjithnjë e më shumë, shkëputeshin nga ideja e të punuarit për të tjerët dhe kridheshin në aventurën e të punuarit për vete, thënë ndryshe, të krijimit të mundësive për punësimin e të tjerëve. Më të shumtit dështuan më shumë se një herë, të paktët ecën mirë, shumë më pak prej tyre ecën shumë mirë. Siç edhe duhet të ndodhë në fakt. Disa të tjerë më është dhënë rasti t’i njoh në marrëdhënien e përvijueshme apo rastësore të ndërmarrjeve të tyre me TBU-në, qoftë si punësues të studentëve tanë qoftë si mbështetës të konkurseve tona të përvitshme “Sipërmarrësit e së Nesërmes” me maturante, sidoqoftë, njohje individuale jo sistematike që të jep pak mundësi të nxjerrësh konkluzione të pjekura.
Ndaj, njohja me grupin e sipërmarrësve të angazhuar në BLOconomy e që konkurrojnë edhe në procesin “40 under 40” më dha një mundësi më të gjerë e më të plotë të arrit të kuptoj, a më saktë, t’i përafrohem disi tipologjisë, tipareve e cilësive dalluese të këtij brezit të ri të sipërmarrësish, kryesisht në Shqipëri, disa edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.
Nga njohja, dëgjimi, bisedat, të dhënat dhe më rezulton se që të gjithë janë:
- të mirëshkolluar, së shumti në shkolla e programe cilësore në Evropë apo Amerikë;
- të mirëinformuar mbi zhvillimet në fushat e interesit të drejtpërdrejtë të biznesit të tyre;
- të mirëinformuar edhe në tërësi, si kulture e përgjithshme ekonomike, juridike, politike e sociale por pa qenë militante të thekur a fanatike politike të një krahu – shumë më mëndjehapur e shumë më pragmatiste;
- të shkathtësuar e të përditësuar me zhvillimin teknologjik, qoftë atë të përdorimit vetjak e qoftë atë të lidhur me biznesin e tyre;
- të aftë të kryejnë sipërmarrje në shkallë globale, duke shfrytëzuar me zhdërvjelltësi hapjen e tregjeve dhe teknologjinë e komunikimit, deri atë të Inteligjencës Artificiale;
- të mirësjellë e të përkorë, aspak të vrazhdë – prirem të besoj se të këtillë sillen edhe me vartësit, jo vetëm me klientët;
- me shije, asfare vulgare, jo vetëm në veshje, ushqim e pije por edhe në fjalor e xheste;
- mjaft të apasionuar për c’ka bëjnë, të gatshëm edhe për sakrifica, por pa i privuar vetes kënaqësitë e jetës, pra punojnë mirë për të jetuar mirë, as punojnë për të jetuar dhe as jetojnë për të punuar;
- kurajozë në thyerjen e akullit të komunikimit, hyjnë lehtësisht në relacione dhe ndërtojnë me shpejtësi network, pa u bërë skllevër të rretheve shoqërore që zgjasin për inerci a seder, për paaftësi në shoqërizimit e reja apo frika nga vetmia;
- Saç janë patriote, shijues e kultivues të zakoneve, shijeve e vlerave nacionale, po aq janë edhe internacionaliste e globaliste, shumë të ngjashëm me versniket e tyre në shoqëritë perëndimore, në mendim dhe stil jetese.
Këto tipare, që i ndesh me pikatore tek sipërmarrësit e dy dekadave të mëparshme, i bëjnë sipërmarrësit e dekadës së fundit të veprojnë në një diapazon më të gjerë nismash sipërmarrëse të njëkohëshme, të aftë të përllogarisin më mirë rreziqet e të optimizojnë më mirë raportin rrezik – përfitim, si dhe që ti ndërtojnë produktet, strukturat organizative dhe zinxhiret e furnizimit e shitjes përshtatur sipas standardeve të konkurrueshmërise globale – njëherazi të aftë të përshtaten lokalisht.
Si të këtillë, nëse janë të suksesshme në vendin e vet, po njësoj, në mos më shumë, do të ishin të suksesshëm edhe në çdo vend të kontinentit evropian apo amerikan ku ka një mjedis më mirëpritës, më mirëkuptues, mjaft më meritokratik, për cilësitë e mësipërme dalluese të tyre.
Për fatin e mirë të shoqërisë sonë jo të gjithë të rinjtë ikin, disa kanë vendosur të qendrojnë e ti arrijnë këtu, në tre vendet tona, ambiciet e tyre, ndonëse shoqëritë tona në tërësi janë relativisht mbrapa, ende refraktare, ende rezistente ndaj pranimit të këtyre cilësive. Natyrisht që betejën do e fitojnë të rinjtë e bashkë me ta do ndryshojnë, hapen, e modernizohen edhe shoqëritë tona në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.
Koha ecën vetëm në një drejtim, drejtimin dhe ritmin e përcaktojnë të rinjtë. / 40 under 40