Në dy vite e gjysmë, Kalaja Talent Consulting është rritur nga një ide në një kompani me tri departamente: rekrutim vendas, rekrutim i punonjësve të huaj dhe trajnime për profesionistët HR. Themeluesi i saj, Klejti Kalaja, flet për BLOconomy për mungesën e fuqisë punëtore, për mënyrën e duhur të punësimit të punonjësve të huaj dhe për gabimin që kompanitë shqiptare bëjnë më shpesh kur punësojnë.
Kalaja Talent Consulting në shifra
- 2 vite e 6 muaj aktivitet
- 6 punonjës me kohë të plotë dhe bashkëpunëtorë të jashtëm
- 3 departamente: rekrutim vendas, rekrutim ndërkombëtar, trajnime
- 9 vende partnere për kandidatët e huaj
- 65 pjesëmarrës në HR Next Workshop
“Rekrutimi është të kuptosh biznesin dhe të njohësh njeriun”
Si lindi ideja e Kalaja Talent Consulting?
Ideja lindi nga ajo që shihja vazhdimisht në tregun e punës: kompani që kishin nevojë për njerëz të mirë, kandidatë që kërkonin një mundësi reale, por jo gjithmonë një proces që t’i lidhte siç duhet. Shpesh rekrutimi trajtohej si dërgim CV-sh, ndërsa për mua është shumë më tepër. Rekrutimi është të kuptosh biznesin, të njohësh njeriun dhe të vlerësosh nëse do të funksionojnë së bashku.
Kështu lindi Kalaja Talent Consulting, me idenë për të ndërtuar një shërbim më të strukturuar, më transparent dhe më njerëzor. Që në fillim kam synuar që klienti të mos marrë thjesht një CV, por edhe një vlerësim profesional të kandidatit, pas një interviste të mirëfilltë nga ekipi ynë.
Si kanë qenë këto dy vite e gjysmë?
Kanë qenë intensive, me shumë punë, gabime nga të cilat kam mësuar dhe vendime që nuk kanë qenë gjithmonë të lehta. Sot Kalaja Talent Consulting nuk është më vetëm një ide apo një shërbim rekrutimi. Kemi një ekip prej gjashtë punonjësish me kohë të plotë, bashkëpunëtorë të jashtëm dhe tri fusha të qarta aktiviteti.
Për mua, shenja më e rëndësishme e rritjes është besimi. Kur klientët rikthehen, na rekomandojnë dhe na përfshijnë në vendime që lidhen me njerëzit e tyre, e kuptoj se po ndërtojmë diçka me vlerë.

Punonjësit e huaj në Shqipëri: si funksionon procesi
Pse hapët departamentin për punonjësit e huaj?
Ky departament lindi si përgjigje ndaj një nevoje reale të bizneseve shqiptare. Emigracioni, lëvizja e fuqisë punëtore dhe vështirësia për të mbuluar disa profesione kanë krijuar mungesa, sidomos në sektorët operativë.
Qëndrimi im ka qenë i qartë: punonjësi vendas duhet të jetë gjithmonë zgjedhja e parë kur është i disponueshëm dhe i përshtatshëm. Rekrutimi ndërkombëtar hyn në lojë kur biznesi nuk arrin ta plotësojë nevojën në tregun lokal. E kemi ngritur këtë veprimtari në mënyrë të licencuar dhe me përgjegjësi, sepse nuk bëhet fjalë thjesht për të sjellë njerëz nga një vend në tjetrin, por për të garantuar kushte të qarta pune, respektimin e të drejtave dhe një marrëdhënie të qëndrueshme mes punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Nga cilat vende vijnë kandidatët dhe ku punojnë?
Bashkëpunojmë me partnerë dhe burime kandidatësh nga India, Egjipti, Tunizia, Filipinet, Kenia, Nigeria, Kameruni, Maroku dhe Indonezia. Origjina e kandidatit varet nga pozicioni dhe përvoja e kërkuar.
Kërkesat më të shpeshta lidhen me prodhimin dhe fabrikat, bujqësinë e blegtorinë, hotelerinë dhe restorantet, ndërtimin, magazinimin dhe profesione të ndryshme teknike. Në çdo rast, për ne ka rëndësi verifikimi i aftësive, jo vetëm ajo që është shkruar në CV.
Si funksionon procesi, nga kërkesa e parë deri te dita e parë e punës?
- Përcaktimi i nevojës: pozicioni, detyrat, paga, orari, akomodimi dhe profili profesional që kërkohet.
- Përzgjedhja: angazhojmë rrjetin e partnerëve, zhvillojmë intervista dhe, kur profesioni e kërkon, kërkojmë prova konkrete, për shembull video të punës praktike.
- Miratimi: vijojmë vetëm pasi punëdhënësi e ka miratuar kandidatin.
- Dokumentacioni: kontrata dhe koordinimi i autorizimit të punës, qëndrimit dhe vizës, sipas kërkesave ligjore.
- Përgatitja për mbërritjen: sigurohemi që kompania të jetë gati për ta pritur punonjësin.
Kandidatëve nuk u kërkojmë pagesë për t’u punësuar. Dhe procesi nuk mbaron me mbërritjen në aeroport: për ne ka rëndësi që kandidati të fillojë realisht punë në kushtet e dakordësuara.
“Premtimet e paqarta sot bëhen probleme serioze nesër.”
Cilat janë sfidat më të mëdha?
Sfidat janë një kombinim i procedurave administrative dhe faktorëve njerëzorë. Dokumentet mund të kërkojnë kohë, një informacion i pasaktë mund të vonojë gjithë procesin dhe ndonjëherë përvoja e deklaruar nuk përputhet me aftësitë reale. Prandaj insistojmë te verifikimi paraprak dhe te komunikimi i qartë.
Gjuha, kultura e punës dhe pritshmëritë e ndryshme mund ta vështirësojnë integrimin. Për këtë arsye u kërkojmë kompanive të jenë të qarta që në fillim për detyrat, pagesën, orarin, akomodimin dhe personin që do ta ndihmojë punonjësin në ditët e para.
Çfarë mbështetjeje u ofroni pasi mbërrijnë?
Koordinohemi me punëdhënësin për mbërritjen, orientimin fillestar, akomodimin kur është pjesë e ofertës dhe dokumentacionin. Ndihmojmë që pritshmëritë e të dy palëve të jenë të qarta: çfarë pune do të kryhet, kush është përgjegjësi, cilat janë oraret dhe ku mund të drejtohet punonjësi nëse ka një shqetësim. Nëse lind një problem, ndërmjetësojmë për një zgjidhje të drejtë, në përputhje me kontratën dhe ligjin.
“Trajtimi dinjitoz i punonjësit nuk është një favor. Është kusht bazë për një marrëdhënie pune të suksesshme.”
Trajnimet: HR që ndikon në vendimmarrje
Pse i shtuat trajnimet si departament më vete?
Përmes rekrutimit shohim çdo ditë sa shumë ndikon cilësia e menaxhimit të njerëzve në rezultatin e një kompanie. Në Shqipëri kemi profesionistë HR shumë të përkushtuar, por shpesh u mungojnë hapësirat ku mund të punojnë me raste reale, të diskutojnë sfida me kolegë dhe t’i lidhin praktikat e HR me objektivat e biznesit.
Nuk duam evente ku pjesëmarrësit dëgjojnë vetëm teori dhe ikin me një certifikatë. Duam që të largohen me ide, mjete dhe kontakte që mund t’i përdorin të nesërmen në punë.

Çfarë e bëri të suksesshëm HR Entry Bootcamp?
HR Entry Bootcamp, që organizuam në qershor në The Plaza Tirana, ishte një ditë intensive për njerëzit që duan të hyjnë ose të konsolidojnë hapat e parë në burimet njerëzore. Përveç anës praktike të profesionit, diskutuam personal branding, employer branding dhe mënyrën si një profesionist HR ndërton vlerë për kompaninë. Pjesëmarrësit bashkëbiseduan me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe bënë pyetje pa filtra.
Vendet u plotësuan. Mendoj se suksesi erdhi nga kombinimi i përmbajtjes praktike, folësve me përvojë dhe atmosferës së hapur, ku njerëzit u trajtuan si profesionistë në zhvillim, jo thjesht si dëgjues.

Çfarë doli nga HR Next Workshop?
HR Next u zhvillua më 8 tetor në Hilton Garden Inn dhe mblodhi 65 pjesëmarrës. Ishte një workshop i avancuar me tri tema që i konsideroj thelbësore për HR-in modern:
- HR Business Partner: të kuptosh biznesin
- Performance Management: të rritësh performancën
- People & Team Dynamics: të zhvillosh njerëzit dhe ekipet
Me profesionistë si Ermelinda Ruka, Anisa Hysi dhe të ftuarin Drini Zusi, diskutuam jo vetëm metoda, por edhe situata konkrete të përditshme.
“HR nuk mund të mbetet vetëm funksion administrativ. Një profesionist i mirë HR duhet të kuptojë numrat, drejtimin e kompanisë dhe sjelljen e njerëzve.”

Çfarë trajnimesh vijnë?
Po punojmë për një program pesëjavor, me një takim në javë, për specialistët HR që duan të kalojnë në nivelin tjetër. Synimi është një grup me të paktën 25 pjesëmarrës dhe pesë module praktike: rekrutimi strategjik, menaxhimi i performancës, HR si partner i biznesit, zhvillimi i njerëzve dhe praktikat e përditshme të HR. Temat dhe datat do t’i komunikojmë kur programi të jetë gati. Do të vazhdojmë edhe me formate më të vogla, ku pjesëmarrësit sjellin problematika konkrete nga kompanitë e tyre.
Tregu i punës: tri probleme që ushqejnë njëri-tjetrin
Ku ka më shumë mungesë: te njerëzit, te aftësitë apo te mënyra si rekrutojnë kompanitë?
Nuk kemi vetëm një problem, por tri. Ka mungesë njerëzish në disa profesione, sidomos për shkak të emigrimit. Ka hendek mes aftësive që kërkojnë bizneset dhe atyre që ofron tregu. Por një pjesë e problemit është te mënyra si kompanitë rekrutojnë dhe i mbajnë punonjësit.
Nuk mund të kërkojmë kandidat ideal, përvojë të lartë dhe angazhim afatgjatë, ndërkohë që ofrojmë kushte ose paga që nuk përputhen me pritshmëritë e tregut. Rekrutimi fillon me një ofertë të sinqertë dhe një proces respektues, dhe vazhdon me një kulturë pune ku njerëzit kanë arsye të qëndrojnë. Asnjë agjenci nuk mund ta zgjidhë e vetme një problem që fillon brenda kompanisë.
Cili është gabimi më i shpeshtë i kompanive kur punësojnë?
Të punësosh me nxitim, pa e përcaktuar qartë çfarë kërkon dhe pa e vlerësuar kandidatin përtej CV-së. Shpesh vendimi merret sepse një pozicion duhet mbushur urgjentisht, jo sepse është gjetur personi i duhur. Një CV e mirë nuk garanton përshtatje me ekipin, ashtu si një CV jo perfekte nuk do të thotë se kandidati nuk ka potencial.
“Një punësim i gabuar kushton më shumë sesa disa javë shtesë për të gjetur njeriun e duhur.”
Cilat kanë qenë sfidat tuaja si sipërmarrës?
Të ndërtosh njëkohësisht shërbimin, ekipin, standardet e punës dhe besimin e tregut. Ka edhe presion të vazhdueshëm për të ruajtur ekuilibrin mes rritjes dhe cilësisë, sepse nuk dua të rritemi në numra duke humbur vëmendjen ndaj detajeve. Nëse do të nisja sërish, do të investoja më herët te proceset e brendshme, matja e performancës dhe delegimi. Kam mësuar se sipërmarrja nuk është të bësh gjithçka vetë, por të ndërtosh një ekip dhe një mënyrë pune që funksionon edhe pa ndërhyrjen tënde në çdo hap.
Vizioni dhe këshilla
Ku e shihni kompaninë pas 3–5 vitesh?
Dua që Kalaja Talent Consulting të jetë një nga emrat e referencës në rajon për rekrutimin dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor, e matur me cilësinë e shërbimit dhe besimin që krijojmë, jo vetëm me madhësinë e ekipit. Objektivi është të forcojmë tri departamentet, të investojmë te teknologjia dhe standardizimi i proceseve, të zgjerojmë trajnimet dhe të zhvillojmë partneritete ndërkombëtare, me ambicien për t’u shtrirë edhe drejt tregut europian. Por për mua ka më shumë vlerë të ndërtojmë një kompani të qëndrueshme, sesa thjesht të rritemi shpejt.
Çfarë këshille u jepni të rinjve që duan të nisin biznesin e tyre?
Mos prisni momentin perfekt, sepse zakonisht ai nuk vjen. Por as mos hyni në biznes vetëm sepse ju pëlqen ideja e të qenit sipërmarrës. Njihni problemin që doni të zgjidhni, kuptoni klientin dhe dijeni shumë mirë si do të krijoni vlerë. Mësoni të lexoni numrat, dëgjoni kritikat dhe pranoni se jo çdo vendim do të jetë i saktë. Mbi të gjitha, mos bëni kompromis me etikën për një fitim të shpejtë.
“Reputacioni ndërtohet ngadalë dhe mund të humbasë shumë shpejt. Filloni, punoni me këmbëngulje dhe mos harroni pse e nisët.”

Rreth Kalaja Talent Consulting
Kalaja Talent Consulting ofron rekrutim brenda Shqipërisë, rekrutim të licencuar të punonjësve të huaj dhe trajnime për profesionistët e burimeve njerëzore.
📞 355 69 768 6732· ✉️ klejti.kalaja@ktc.al· 🌐 http://ktc.al
