Skip to content
Bloconomy

Bloconomy

Primary Menu
  • Entrepreneur
  • Expo BLOconomy
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club
  • Diaspora Shqiptare
  • Food for thought
  • PODCASTS
  • GEN E
  • Bli Revisten
  • Home
  • Food for thought
  • Inteligjenca artificiale po rrit çmimet për amerikanët – dhe jo vetëm faturat e energjisë elektrike
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club
  • Food for thought

Inteligjenca artificiale po rrit çmimet për amerikanët – dhe jo vetëm faturat e energjisë elektrike

root Posted on 7 hours ago 7 min read
WhatsApp Image 2026-07-31 at 1.49.47 PM (1)

Si po ndikon zgjerimi i qendrave të të dhënave në inflacion, nga energjia elektrike te pajisjet elektronike dhe pagat në ndërtim

Inovacionet e mëdha teknologjike kanë potencialin t’i transformojnë ekonomitë: krijojnë mundësi, vende pune e madje edhe industri krejt të reja, ndërkohë që i japin një shtysë të fuqishme produktivitetit dhe rritjes ekonomike. Megjithatë, ky premtim për përfitime afatgjata paraprihet shpesh nga pasoja të dhimbshme afatshkurtëra dhe afatmesme. Në rastin e inteligjencës artificiale (IA), këto pasoja kanë marrë formën e humbjes së vendeve të punës, të një rritjeje më të ngadaltë të pagave, të thellimit të pabarazisë në pasuri dhe veçanërisht gjatë muajve të fundit  të një inflacioni më të lartë.

Të dhënat e fundit tregojnë se interesi dhe investimet gjigante në adoptimin e IA-së –të vlerësuara rreth 750 miliardë dollarë vetëm për këtë vit  kanë rritur një sërë çmimesh, duke ngritur kështu edhe inflacionin e përgjithshëm.

“Inflacioni më i lartë do të thotë se familjet duhet të shpenzojnë mbi 375 dollarë më shumë për të blerë të njëjtat mallra dhe shërbime që blinin një vit më parë, si pasojë e ndikimit të IA-së në inflacion”, thotë Mark Zandi, kryeekonomist në “Moody’s Analytics në një email për CNN”.

Lajmi i mirë është se IA mbetet ende një kontribuues i vogël në inflacionin e përgjithshëm rreth 0,2 përqind  dhe se ndikimi i saj kufizohet për momentin në një numër të kufizuar kategorish.

Lajmi jo edhe aq i mirë është se IA po e shtyn inflacionin drejt rritjes dhe po i thellon më tej shqetësimet e vjetra për përballueshmërinë e jetesës. Për më tepër, këto presione mbi çmimet nuk pritet të zbuten së shpejti dhe fare mirë mund të shtrihen edhe në sektorë të tjerë. Pikërisht kjo dinamikë e mundshme i ka vënë në gatishmëri zyrtarët e Rezervës Federale, përfshirë kryetarin e ri të bankës qendrore.

Më poshtë vjen një panoramë e fushave ku IA ka lënë tashmë gjurmë në inflacion dhe e atyre ku ndikimi i saj mund të shfaqet së shpejti.

Energjia elektrike

Qendrat e të dhënave që mbështesin IA-në kanë një oreks të pangopur për energji, kryesisht për energji elektrike dhe ujë  dhe zgjerimi i tyre i shpejtë rrezikon të mbingarkojë rrjetet e shpërndarjes e të rrisë edhe më shumë çmimet. Kjo ndodh, para së gjithash, sepse kërkesa po e tejkalon ofertën.

Siç ka vënë në dukje së fundmi “PJM Interconnection”, operatori më i madh i rrjetit elektrik në Shtetet e Bashkuara, qendrat e të dhënave mund të ndërtohen ose të zgjerohen dy deri në tre herë më shpejt se sa mund të ngrihen kapacitetet e reja gjeneruese që duhen për t’i furnizuar ato. Nëse këtyre nevojave u shtohen edhe dalja nga përdorimi e termocentraleve me qymyr, rritja e elektrifikimit, moti ekstrem dhe infrastruktura e vjetruar, hendeku mes ofertës dhe kërkesës zgjerohet edhe më tej.

“Qendrat e të dhënave kërkojnë sasi të mëdha energjie dhe kjo priret të zërë hapësirën e energjisë elektrike që u shpërndahet banorëve. Ajo ka çuar gjithashtu në rritjen e çmimeve me shumicë të energjisë, sepse qendrat e të dhënave janë të gatshme të paguajnë çmimin që u kërkojnë furnizuesit  dhe kjo përfundon duke i rritur edhe çmimet e energjisë elektrike për familjet”, shpjegon për CNN Pooja Sriram, ekonomiste për SHBA-në në “Barclays”.

Të dhënat e Indeksit të Çmimeve të Konsumit (CPI) tregojnë se çmimet e energjisë elektrike për familjet u rritën gjatë vitit 2025 rreth dy herë më shpejt se mesatarja e viteve paraardhëse, thekson ajo. Ndërkaq, sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave të Punës, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti çmimet e energjisë elektrike janë rritur me një ritëm edhe më të shpejtë se në vitin 2025.

“Mendoj se kjo është një nga gjurmët më të qarta të kërkesës së qendrave të të dhënave të IA-së në rritjen e faturave elektrike të familjeve”, thotë ajo.

Në qershor, çmimet e energjisë elektrike ranë papritur me 1 për qind, por vazhdojnë të rriten më shpejt se inflacioni i përgjithshëm dhe janë 4 për qind më të larta se një vit më parë, sipas të dhënave më të fundit të CPI-së.

Çipat e memories

Oreksi i qendrave të të dhënave nuk shuhet vetëm me energji. Ndërtimet masive kanë shkaktuar edhe një rritje të fortë të kërkesës për çipa memorieje, gjë që u ka sjellë fitime të konsiderueshme prodhuesve, thotë Sriram.

“Problemi nuk është vetëm kërkesa; problemi është se ana e ofertës për këta çipa memorieje ka qenë tepër e kufizuar”, shprehet ajo.

Triliardat e dollarëve që po ndjekin komponentët e lidhur me IA-në i kanë shtyrë furnizuesit e memories dhe të ruajtjes së të dhënave t’i orientojnë kapacitetet e tyre prodhuese drejt produkteve të memories me brez të gjerë dhe shpejtësi të lartë  dhe me fitim shumë të lartë që kërkohen nga qendrat e të dhënave.

“Kjo e ka devijuar prodhimin e çipave të memories që nevojiten për produktet e konsumit drejt çipave shumë specifikë me performancë të lartë, që u duhen qendrave të të dhënave”, thotë ajo.

Presionet mbi çmimet e këtyre komponentëve dhe të tjerëve janë shfaqur më së shumti në nivelin e prodhuesve. Grafiku i Indeksit të Çmimeve të Prodhimit (PPI) për industrinë e prodhimit të gjysmëpërçuesve dhe komponentëve të tjerë elektronikë ka marrë formën e një shkopi hokeji: në qershor, çmimet me shumicë të kësaj kategorie ishin 26 për qind më të larta se një vit më parë  një kthesë e mprehtë krahasuar me qershorin e vitit 2025, kur ato po binin me 0,8 për qind në bazë vjetore.

“Arsyeja pse kjo ka rëndësi për konsumatorin fundor është se, në fund të fundit, laptopët, kompjuterët, iPhone-t dhe iPad-et tanë kanë të gjithë një lloj çipi memorieje të integruar në to dhe këta çipa janë bërë mjaft të shtrenjtë”, thotë ajo.

Pajisjet kompjuterike dhe softueri

Nga fundi i muajit të kaluar, “Apple” i rriti me rreth 20 për qind çmimet e disa prej produkteve të veta më të njohura. Në një deklaratë, kompania theksoi se qendrat e të dhënave të IA-së kanë krijuar një “rritje të jashtëzakonshme” të kërkesës për memorie dhe hapësirë ruajtjeje. “Sony” e shtrenjtoi konsolën e saj PlayStation në fillim të këtij viti, ndërsa “Microsoft” muajin e kaluar i rriti me rreth 25 për qind çmimet e konsolave Xbox, për të njëjtat arsye.

“I gjithë sektori i elektronikës së konsumit po përballet me krizën aktuale të komponentëve, por efektet janë veçanërisht të rënda për konsolat”, shkroi “Microsoft” në një deklaratë.

Kompjuterët dhe pajisjet e lidhura me ta kanë qenë tradicionalisht një kategori fort deflacioniste në CPI: falë përparimit teknologjik, konsumatorët marrin gjithnjë e më shumë vlerë për të njëjtën shumë parash. Për shembull, një kompjuter prej 1.500 dollarësh në vitin 2025 ishte me shumë gjasa më i fuqishëm se një model i të njëjtit çmim një vit më parë  dhe Byroja e Statistikave të Punës e trajton këtë si rënie çmimi. Për gjysmën e parë të vitit 2026, megjithatë, të dhënat e BLS-së tregojnë se kompjuterët dhe produktet e lidhura me ta kanë pësuar inflacion çmimesh.

“Jemi ende në fazat e para të këtyre presioneve mbi çmimet e konsumit dhe të transmetimit të çmimeve më të larta të prodhimit, çmimeve më të larta të importit dhe kërkesës më të madhe, sidomos asaj të nxitur nga investimet në IA”, thotë Gregory Daco, kryeekonomist në “EY-Parthenon”.

Shtimi i funksioneve të IA-së në aplikacionet e biznesit ndikon gjithashtu në çmimin e softuerit. Kështu, në shkurt “Microsoft” i rriti me 43 për qind çmimet e Office 365 për përdoruesit individualë  dhe me 30 për qind ato të planit familjar  pasi i kishte mbajtur të pandryshuara për një dekadë. Risia: Copilot, mjeti i ri i IA-së i kompanisë.

Kostot e ndërtimit dhe pagat

Qendrat e të dhënave po ndikojnë edhe në ofertën e materialeve të tjera kyçe të ndërtimit, si bakri dhe kabllot elektrikë, si dhe në ofertën e fuqisë punëtore.

“Nëse do të kërkonit të dhëna përfundimtare për efektin e IA-së mbi ekonominë dhe inflacionin  ndonëse pak më të hollësishme  do të shihnit nëse pagat në ndërtim po rriten më shumë se pagat në pjesën tjetër të ekonomisë”, thotë Thierry Wizman, strateg global për valutat dhe normat e interesit në “Macquarie Group”. “Sepse, nëse ka vërtet një presion në rritje që po tendos burimet e ekonomisë për shkak të ndërtimit të qendrave të të dhënave, kjo do të dukej edhe te pagat konkretisht te pagat e punëtorëve që punojnë në këto projekte.”

Deri tani, të dhënat e disponueshme në nivel kombëtar tregojnë një “divergjencë të fortë” mes sektorit të ndërtimit dhe ekonomisë në tërësi, vëren ai. Të dhënat rajonale mund të jenë edhe më domethënëse, shton Wizman, duke theksuar rëndësinë e ndjekjes së pagave në ndërtim në zonat me përqendrim të lartë të qendrave të të dhënave. Kjo, megjithatë, kërkon durim: të dhënat më të lokalizuara dalin me vonesë, për shkak të kohës që duhet për mbledhjen dhe modelimin e tyre.

“Kemi një problem me strehimin në këtë vend këto kohë; njerëzit flasin për të si diçka të papërballueshme”, thotë Wizman. “Mund të jetë fare mirë rasti që rritja e ndjeshme e pagave në ndërtim po ushtron presion edhe mbi çmimet e banesave.”

About the Author

root

Administrator

Visit Website View All Posts

Post navigation

Previous: BLOconomy Entrepreneur Fair 2026 – Një ditë që bashkoi sipërmarrjen, inovacionin dhe vizionin

Related Stories

A7V08114
2 min read
  • 40 Under 40
  • 40/40 EXPO
  • Entrepreneur Club

BLOconomy Entrepreneur Fair 2026 – Një ditë që bashkoi sipërmarrjen, inovacionin dhe vizionin

root Posted on 4 weeks ago 0
DSC03088
2 min read
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club

Takim i Entrepreneur Club — Mbrëmje me Vizion dhe Vlerë

root Posted on 2 months ago 0
baneri 1 per insta post
3 min read
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club

BLOconomy hap thirrjet për sezonin e ri të Entrepreneur Club 2026–2027

root Posted on 2 months ago 0
revista

Ndoshta nuk keni pare...

WhatsApp Image 2026-07-31 at 1.49.47 PM (1)
7 min read
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club
  • Food for thought

Inteligjenca artificiale po rrit çmimet për amerikanët – dhe jo vetëm faturat e energjisë elektrike

root Posted on 7 hours ago 0
A7V08114
2 min read
  • 40 Under 40
  • 40/40 EXPO
  • Entrepreneur Club

BLOconomy Entrepreneur Fair 2026 – Një ditë që bashkoi sipërmarrjen, inovacionin dhe vizionin

root Posted on 4 weeks ago 0
DSC03088
2 min read
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club

Takim i Entrepreneur Club — Mbrëmje me Vizion dhe Vlerë

root Posted on 2 months ago 0
baneri 1 per insta post
3 min read
  • 40 Under 40
  • Entrepreneur Club

BLOconomy hap thirrjet për sezonin e ri të Entrepreneur Club 2026–2027

root Posted on 2 months ago 0
Copyright BLOconomy © | MoreNews by AF themes.