Lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar atë që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (ANE) e përshkruan si ndërprerjen më të madhe të furnizimit botëror me naftë në histori, duke detyruar qeveritë në mbarë botën të marrin masa emergjente për të frenuar konsumin dhe për të mbrojtur qytetarët.
Në qendër të krizës ndodhet Ngushtica e Hormuzit, një pikë kalimi kyçe nëpër të cilën normalisht rrjedh 20% e furnizimit botëror me naftë. Që nga shpërthimi i luftës, rrjedha nëpër këtë ngushticë është reduktuar në një pjesë të vogël të niveleve normale, duke kufizuar ndjeshëm furnizimin global me energji.
Ndikimi ka qenë i menjëhershëm dhe i rëndë. Sipas ANE-së, furnizimi global me naftë u ul me më shumë se 10 milionë fuçi në ditë gjatë marsit, çmimi i naftës u ngrit mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa çmimet e karburanteve të rafinuara si dizeli dhe karburanti për avionë u rritën edhe më shpejt.
“Lufta në Lindjen e Mesme po krijon një krizë të madhe energjetike, duke përfshirë ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut global të naftës,” tha Drejtori Ekzekutiv i ANE-së, Fatih Birol. “Në mungesë të një zgjidhjeje të shpejtë, pasojat për tregjet e energjisë dhe ekonomitë do të bëhen gjithnjë e më të rënda.”
Si përgjigje, qeveritë po ndërmarrin veprime për të kursyer energjinë dhe për të ulur kërkesën e brendshme. Duke u mbështetur në gjurmuesin e politikave të krizës energjetike të ANE-së, ja gjashtë nga mënyrat më të zakonshme si po reagojnë vendet.
1. Puna dhe studimi nga shtëpia

Tymi ngrihet mbi zonën industriale të naftës në Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në mars.
Foto: REUTERS
Nxitja ose detyrimi i punës dhe studimit nga shtëpia ka dalë si një nga masat kryesore për të ulur konsumin e karburantit, pasi eliminon udhëtimet e përditshme dhe zvogëlon përdorimin e energjisë në ambiente pune e shkollore.
Indonezia, për shembull, u ka detyruar punonjësve të sektorit publik të punojnë nga shtëpia çdo të premte, ndërsa Myamari e ka bërë të njëjtën gjë çdo të mërkurë. Vende të tjera si Pakistani dhe Filipinet kanë kaluar në javë pune katër-ditore për nëpunësit shtetërorë.
Ndërkohë, vende si Sri Lanka, Peruja dhe Bangladeshi kanë shkurtuar javën shkollore ose kanë aplikuar mësimin online.
2. Kufizimi i ftohjes në ndërtesa
Qeveritë po e shikojnë rregullimin e temperaturës në ndërtesa dhe objekte publike si një mënyrë efektive për të kursyer energji.
Tailanda, Bangladeshi dhe Kamboxhia kanë vendosur ose inkurajuar kufizime të temperaturës për kondicionerët në zyrat publike, ndërsa Jordania ka bërë një hap më tej duke i ndaluar ato plotësisht në të gjitha institucionet qeveritare.
Këto kufizime janë veçanërisht të rëndësishme në vendet me klimë të ngrohtë, ku rritja e konsumit të energjisë elektrike gjatë verës mund të vendosë nën presion të madh rrjetet energjetike tashmë të ngarkuara.
3. Promovimi i transportit publik
Transporti mbetet një nga fushat me potencialin më të madh për të ulur konsumin e naftës, dhe qeveritë po ndërmarrin hapa konkretë për të frenuar udhëtimet private dhe për të nxitur përdorimin e transportit publik.
Lituania, për shembull, ka ulur çmimet e biletave të trenave lokalë me 50% për dy muaj, ndërsa Filipinet kanë ofruar udhëtime falas me autobus për studentët dhe punëtorët në disa qytete. Franca, nga ana tjetër, ka rinovuar skemat e qiradhënies sociale për automjete elektrike, duke synuar individët me të ardhura të ulëta që varen nga makina private për të shkuar në punë. Kili gjithashtu ka ofruar mbështetje financiare për taksistët që duan të blejnë automjete elektrike.
Vende të tjera si Tailanda dhe Argjentina kanë ndryshuar rregulloret për të lejuar një përmbajtje më të lartë të bioetanolit në përzierjet e benzinës.
4. Kufizimi i udhëtimeve qeveritare
Udhëtimet e sektorit publik po shkurtohen për të reduktuar konsumin e karburantit dhe për të dhënë një shembull pozitiv për shoqërinë.
Koreja e Jugut ka vendosur kufizime të lëvizjes me automjet për punonjësit e sektorit publik, ndërsa Jordania dhe Pakistani kanë ndaluar udhëtimet ndërkombëtare për zyrtarët shtetërorë. Jordania ka kufizuar gjithashtu pritjen e delegacioneve të huaja.
Sri Lanka ka vendosur gjithashtu kufizime për udhëtimet e zyrtarëve qeveritarë, duke i nxitur ata të përdorin transportin publik.

Burimi: EIA.gov, Visual Capitalist
5. Kufizimi i çmimeve dhe ofrimi i subvencioneve
Disa qeveri po ndërhyjnë drejtpërdrejt në tregjet e karburantit për të mbrojtur familjet dhe bizneset nga rritja e kostove.
Kroacia dhe Hungaria, për shembull, kanë vendosur kufizime të çmimeve të karburantit, ndërsa Çekia ka kufizuar marzhet e fitimit të shitësve me pakicë. Kina ka vendosur çmime tavan të naftës së rafinuar në tregun e brendshëm, dhe Japonia ka futur një çmim tavan të mbështetur nga subvencione shtetërore.
Megjithëse këto masa ofrojnë lehtësim të menjëhershëm, ato vijnë me kosto buxhetore dhe mund të dobësojnë iniciativat për të kursyer energji.
6. Fushata kombëtare për kursimin e energjisë
Krahas masave ligjore, qeveritë po u drejtohen drejtpërdrejt qytetarëve duke i ftuar të ndryshojnë sjelljen e tyre të përditshme.
Australia ka nxitur ulje vullnetare të konsumit të karburantit dhe energjisë nëpërmjet fushatës “Çdo Gjë e Vogël Ndihmon”, ndërsa Egjipti ka kërkuar nga publiku të kufizojë ndriçimin privat dhe tregtar dhe të shkurtojë oraret e dyqaneve gjatë fundjavave.
Vende të tjera si Mozambiku, Laosi, Etiopia dhe Vietnami kanë bërë thirrje publike për veprime konkrete në drejtim të kursimit të energjisë.
Përballja gjeoekonomike dhe rreziqet globale
Masat e kursimit të energjisë të ndërmarra në shkallë botërore përfaqësojnë një nga përpjekjet më të gjera për uljen e kërkesës që janë parë në dekadat e fundit. Ato, njëkohësisht, nxjerrin në pah se sa thellë po ndikojnë konfliktet gjeopolitike dhe gjeoekonomike në ekonominë globale.
Në janar, Raporti i Rreziqeve Globale 2026 i Forumit Ekonomik Botëror e vlerësoi përballën gjeoekonomike si shqetësimin numër një për ekspertët e rrezikut në afatin e shkurtër. Të anketuarit e identifikuan atë si rrezikun me më shumë gjasa për të shpërthyer në një krizë globale të vërtetë gjatë vitit 2026, ndërsa konfliktet e armatosura ndërmjet shteteve zinin vendin e dytë.
“Përballja gjeoekonomike rrezikon të shkatërrojë themelet e ekonomisë globale të ndërvarur,” thuhej në raport, duke theksuar se konfrontimet e tilla janë njëherësh shkak dhe pasojë e dobësimit të sistemit ndërkombëtar shumëpalësh. “Me pakësimin e kufizimeve shumëpalëshe ndaj veprimeve të njëanshme, barrierat kombëtare në rritje dhe interesat e kundërta mes vendeve rrezikojnë të sjellin pasoja të rënda ekonomike dhe sociale në të gjithë globin.”
Ky artikull është përkthyer dhe ribotuar nga Forumi Ekonomik Botëror në përputhje me Licencën Creative Commons Attribution-NonCommercial-NoDerivatives 4.0. Burimi origjinal: weforum.org
