Në këtë vitin e dytë të bashkëveprimit tim me organizatën BLOconomy dhe aktivitetin e saj, ndër më kryesorët ai “40 under 40” – ky konkurrim i bukur dhe domethënës i sipërmarrësve të rinj – pata kënaqësinë të njihesha me plot djem e vajza entuziastë në nismën e tyre sipërmarrëse, me vizion të qartë e metodë solide, e kësisoj të rikonfirmoj ato dhjetë cilësitë e sipërmarrësve të rinj, që i preka e i ceka gjatë vitit të parë, por edhe të arrij të hulumtoj e të konkludoj mbi disa sfida specifike, të mëdha e të rëndësishme, që e presin së afërmi këtë gjeneratë të re sipërmarrësish, e jo vetëm atë.
Më së pari, vlen të vlerësohet e përgëzohet BLOconomy dhe lidershipi i saj që arriti të zgjerojë pjesëmarrjen në aktivitetet e veta si dhe të pasurojë tematikën e tyre. Si një vetëorganizim e vetëfinancim, pa fonde donatorësh siç rëndom ndodh me të ashtuquajturën shoqëri civile e tipit “donors feed, they talk”, pa mbështetje a lidhje qeveritare si instrumente propagande, këto arritje të BLOconomy shërbejnë si kultivues të qytetarisë e të përgjegjshmërisë shoqërore.
Ndërsa një vit më parë evidentova dhjetë cilësitë e gjeneratës së re të sipërmarrësve – shkurtimisht për kujtesë:
i) mirëshkollimi;
ii) mirëinformimi mbi sipërmarrjen e fushës përkatëse;
iii) dija dhe kultura në përgjithësi;
iv) të zhdërvjellët e të përditësuar në teknologjinë më të fundit, përfshirë AI;
v) aftësi për biznes edhe global, jo vetëm lokal;
vi) të mirë sjellur e të përkorë;
vii) me shije dhe estetikë;
viii) të mirëekuilibruar mes punës dhe jetës;
ix) të aftë në komunikim;
x) të ekuilibruar mes patriotizmit dhe kozmopolitizmit – këtë vitin e dytë pata mundësi jo vetëm t’i rikonfirmoj këto cilësi por edhe të meditoj se çfarë sfidash e pret këtë gjeneratë të re sipërmarrësish dhe se sa këto cilësi premtojnë përballje të suksesshme me pengesat që ndonëse nuk janë të njëjta nga ato që përballoi gjenerata e parë e sipërmarrësve, kjo s’do të thotë se janë më të lehta a më të buta, përkundrazi.
Gjeneratës së parë të sipërmarrësve iu desh të aventurohej në një sfidë të stërmadhe duke filluar nga hiçi, pa “një lek në xhep”, në një mjedis ekonomik, politik e shoqëror në formësim tërësor e nga e para, pas një përmbysjeje të madhe, bashkëshoqëruar rrugës me trauma të forta por edhe me entuziazëm të paparë. Shqipëria e sotme është rezultantja e kësaj gjenerate sipërmarrësish (shumë nga të cilët u dorëzuan rrugës), siç iu desh, ngjashmërisht fushës, edhe gjeneratës së parë të politikanëve, administratorëve privatë apo publikë, profesionistëve të lirë, akademikëve, artistëve, gazetarëve, sportistëve etj., e që së bashku përbëjnë edhe elitën e post-socializmit e të tranzicionit.
Ndërsa ka merita të padiskutueshme, kjo elitë shfaq dobësi të theksuara, pasojë e patologjive të mjedisit ku u formësua:
i) inercia e mentalitetit komunist;
ii) evazion fiskal;
iii) korrupsion i gjithpërhapur;
iv) agresion i gjithanshëm i individit ndaj individit, i individit ndaj shtetit dhe i shtetit ndaj individit;
ndaj kjo elitë ka shfaqur tashmë paaftësi për ta udhëhequr popullin drejt sistemit me më shumë liri e barazi politike, ekonomike e shoqërore, ndonëse kemi pasur e kemi avantazhin e madh të të qenurit kaq afër Perëndimit të zhvilluar, civil e demokratik.
Misioni i gjeneratës së parë të elitës është në përfundim, vijimi i saj në udhëheqje është gjithnjë e më shumë pengesë. Populli duhet të drejtohet nga gjenerata e re e elitës kombëtare, e të gjitha sferave. Sipërmarrësit e rinj ndër të parët. Sa më shpejt, aq më mirë.
Por, sfidat janë të mëdha, e ato nuk janë thjesht e vetëm sfidat e zëvendësimit të gjeneratave. Në fakt, kjo e zëvendësimit është më e lehta sepse mosha e koha bëjnë vetiu të veten. Sfidat e vërteta janë ato që lidhen me dobësitë e gjeneratës së re të çdo sfere, pjesërisht të formësuar në mjedisin ku u formësua edhe gjenerata e parë dhe në vijim nga cilësi të tjera negative korrente të këtij mjedisi politik, ekonomik e shoqëror.
Ndërsa mentaliteti komunist është zbehur, gjenerata e re kultivohet në një mjedis hiperegoist ku mbijetesa dikton fitoren me çdo çmim.
Ndërsa evazioni ka rënë, mblidhen më shumë të ardhura nga taksat, abuzimi në shpenzimin e parasë publike është rritur më shumë.
Ndërsa dikur avantazhi arrihej duke shmangur doganat apo tatimet, sot arrihet duke fituar pa konkurrencë të ndershme tendera apo kontrata koncesionare.
Ndërsa korrupsioni ishte i tipit “rent seeking” apo “kap ç’të kapësh”, sot është i tipit “rent distribution” apo “i shpërndarjes së privilegjeve në këmbim të shërbimit politik”.
Nëse dikur biznesi nisej “me duar në xhepat bosh”, sot edhe të kesh kapital do të duhet të përballesh me monopole apo oligopole.
Nëse dikur shkollat nuk kishin mjete por kishin plot mësues e nxënës, sot kanë godina e mjete, por kanë më pak mësues e gjithnjë e më pak nxënës.
Nëse dikur krimi ordiner ishte i gjithpërhapur në qytete e fshatra, sot krimi i organizuar është i kudondodhur, në të gjitha zyrat e vendimmarrjes politike dhe ekonomike.
Nëse sot Shqipëria është më europiane në infrastrukturë e në standard jetese, apo me gjithnjë e më shumë turistë, ajo ka gjithnjë e më pak shqiptarë, gjithnjë e më pak rini, gjithnjë e më pak moshë pune e moshë pjellore, gjithnjë e më pak fëmijë, gjithnjë e më shumë pleq.
Në një mjedis të këtillë, gjenerata e re e sipërmarrjes (si edhe e sferave të tjera elitare), ndonëse i ka ato dhjetë cilësi pozitive që citova, rrezikon të sëmuret rëndë nga një mjedis i këtillë, me të këtilla patologji.
Ose gjenerata e re elitare do arrijë ta udhëheqë popullin drejt një sistemi me më shumë liri politike, ekonomike e shoqërore, ose sistemi i sotëm, me këto patologji korrente e në përkeqësim, do ta plakë para kohe edhe gjeneratën e re të elitës.
Se ç’do ndodhë nuk e di, por besoj të gjithë dëshirojmë të ndodhë e para. Sa më shumë ta dëshirojmë, aq më shumë gjasa ka të ndodhë. Se ç’do ndodhë, varet tashmë nga ju, gjenerata e re e elitës së kombit. Ky është misioni juaj. Uroj të vini në lartësinë e këtij misioni, tok me ato të sferave të tjera elitare.
Ndryshoni Shqipërinë, shpëtoni vetveten.
