2025 shënon mesin e një dekade që tashmë ka sjellë transformime në teknologji, politikë dhe shoqëri.
Ndërsa i afrohemi gjysmës së dytë të dekadës, shohim pak arsye për të pritur që ritmi i këtij transformimi digjital të ngadalësohet. Për ata që dëshirojnë të mbijetojnë dhe të lulëzojnë në mjedisin e sotëm të biznesit, është thelbësore të kuptojnë prirjet që drejtojnë këtë ndërthurje dinamike të inovacionit: kërcënimet dhe mundësitë.
- Bëhuni strategjik në përdorimin e AI
Kemi kaluar disa vite duke u mahnitur nga potenciali i Inteligjencës Artificiale dhe duke dëgjuar se si ajo do të ndryshojë botën. Por besojmë se viti 2025 do të jetë momenti kur do të kalojmë përtej entuziazmit dhe do të fillojmë ta integrojmë AI-në në strategjitë tona të biznesit.
Çfarë do të thotë kjo? Gjatë valës së mëparshme të transformimit të AI-së, pamë kompani si Google, Amazon dhe Netflix të rimendonin strategjinë e tyre, duke e përqendruar rreth të mësuarit “deep learning”. Ato transformuan modele ekzistuese biznesi si reklamimi online, shitjet me pakicë dhe transmetimi i mediave.
Viti 2025 mund të jetë viti ku do të ketë ndryshime, pasi më shumë raste strategjike – që përfshijnë rimendimin e modeleve të biznesit rreth potencialit të Inteligjencës Artificiale– do të fillojnë të shfaqen. Në vend që të kemi produkte dhe shërbime ekzistuese me një chatbot të shtuar, mendoni për “tools” dhe aplikacionet gjenerative që ofrojnë mundësi krejt të reja në sektorë si shëndetësia, prodhimi, arsimi dhe shumë industri të tjera.
- Biznesi i Qëndrueshëm dhe Ekonomi Qarkulluese
I shtyrë nga presioni “rregullator” dhe kërkesa e konsumatorëve, kalimi në praktika më miqësore me mjedisin dhe të qëndrueshme do të jetë padyshim një nxitës kryesor i ndryshimit në vitin 2025.
Është e rëndësishme të theksohet se kjo nuk ka të bëjë vetëm me “greenwashing”, as me kërcënimin e gjobave për mosrespektimin e rregulloreve mjedisore. Gjithnjë e më shumë, bizneset po kuptojnë se bizneset e gjelbra janë gjithashtu bizneset të mira. Për shembull, prodhuesit që kalojnë në përdorimin e produkteve më të qëndrueshme dhe të ripërdorshme reduktojnë varësinë e tyre nga materialet e papërshkueshme dhe gjithnjë e më të shtrenjta.
Por më e rëndësishmja nga të gjitha është nevoja për të mbajtur ritmin me kërkesat e ndryshueshme të konsumatorëve, pasi të dhënat tregojnë në mënyrë të vazhdueshme se “kredencialet e gjelbra” janë një faktor kyç në vendimet për të realizuar blerjen nga konsumatori.
Lexo në BLOconomy: Ja cilat janë librat që sipërmarrësit e 40/40 sugjerojnë t’i lexoni për 2025
- Hyperautomatizimi dhe “Intelligent Enterprise”
Ideja e ndërmarrjes inteligjente ka qenë një ambicie për një kohë të gjatë. Por ndërsa kompanitë po bëhen më të sigurt në përdorimin strategjik të AI-së, duke kaluar përtej projekteve pilot dhe koncepteve të provës, do të fillojmë ta shohim atë si një realitet në vitin 2025.
Imagjinoni një kompani ku të dhënat “rrjedhin/ lëvizin” pa probleme ndërmjet departamenteve – nga marketingu dhe shitjet te kërkimi dhe zhvillimi, prodhimi dhe zinxhiri i furnizimit – të gjitha të lidhura nga algoritme inteligjente që analizojnë informacionin në kohë reale, për:
- të parashikuar kërkesën,
- identifikuar sfidat para se të bëhen probleme dhe
- për t’u përshtatur me ndryshimet në kushtet e tregut ose sjelljen e konsumatorëve.
Kuptimi dhe përshtatja me ndryshimet e mëdha që kjo do të sjellë në shoqëri do të përfshijë zbutjen e rreziqeve teknologjike, duke përfshirë sigurinë e të dhënave të AI-së dhe paragjykimet, si dhe pasojat për punët e njerëzve dhe të ardhmen e punës. Mund të presim që këto të mbeten tema të nxehta diskutimi gjatë vitit që vjen.
- Eksperienca e Klientit
Në vitin 2025, përvoja e klientit (CX-Customer Experience) do të shihet gjithnjë e më shumë si faktori kyç që diferenconw ofruesit e mallrave dhe shërbimeve. Ndërsa tregjet arrijnë një shkallë më të lartë zhvillimi dhe blerësit bëhen më të kujdesshëm, bizneset që duken më të suksesshme në ofrimin e eksperiencave tw personalizuara do të jenë të pozicionuara mirë për të kaluar konkurentwt. Sidoqoftë, është e qartë se nuk mjafton të konkurrosh vetëm në cilësi dhe çmim. Konsumatorët presin që bizneset të jenë aty ku janë ata, duke ofruar shërbime të përshtatura për nevojat e tyre dhe me një cilësi të shkëlqyer të vazhdueshme.
Inteligjenca Artificiale dhe analizat e të dhënave lejojnë bizneset të mbledhin informacion rreth preferencave dhe sjelljes së klientëve, duke mundësuar “personalizimin në masë.” Çdo ndërveprim është i informuar nga të dhënat në kohë reale, duke siguruar që klientët të ndihen të trajtuar në mënyrë të veçantë. Strategjitë omnichannel po bëhen gjithashtu më të sofistikuara, duke siguruar një kalim të përshtatshëm midis pikave të kontaktit online dhe offline dhe duke ofruar një eksperiencë të unifikuar të markës, pavarësisht nga vendi ose mënyra se si ata zgjedhin të angazhohen. Kjo do të thotë se bizneset që e vendosin përvojën e klientit në qendër të çdo gjëje që bëjnë, do të “shpërblehen” në vitin 2025.
- Qëndrueshmëria në Epokën e Pasigurisë
Të themi që po përballemi me pasiguri ekonomike dhe sfida ndërkombëtare ndërsa hyjmë në vitin 2025 është të minimizojmë problemin. Konfliktet e vazhdueshme në zona si Ukraina dhe Lindja e Mesme, së bashku me pasigurinë ekonomike dhe tregjet e paqëndrueshme, po krijojnë vështirësi për bizneset. Bizneset duhet të zhvillojnë aftësinë për të përballuar dhe për t’u përshtatur me këto ndryshime — një aftësi që quhet qëndrueshmëri — dhe kjo do të jetë një temë kryesore e diskutimeve në vitin e ardhshëm.
Qëndrueshmëria nuk është vetëm përballimi i vështirësive, por edhe aftësia për t’u përshtatur shpejt ndaj të papriturave dhe për t’i bërë këto aftësi pjesë të strategjisë së biznesit. Kuptimi i rreziqeve si ndërprerjet në furnizim, mungesa e aftësive dhe mundësia e pandemive të ardhshme është thelbësor për reagim të shpejtë dhe efektiv.
Teknologjia si AI dhe praktikat fleksibël si zinxhirë furnizimi dinamik dhe menaxhim i mirë i forcës punëtore do të luajnë një rol kyç. Mësimet e marra nga pandemia janë të rëndësishme: duhet të jemi të përgatitur për të papriturat.
Në vitin 2025, bizneset duhet të përshtaten shpejt, të shfrytëzojnë teknologjinë dhe të fokusohen në qëndrueshmëri për të mbijetuar dhe për të pasur sukses në një botë që ndryshon me shpejtësi.
Lexo versionin origjinal nga Forbes në link-un në vijim: https://www.forbes.com/sites/bernardmarr/2024/09/30/the-5-biggest-business-trends-for-2025-everyone-must-be-ready-for-now/?utm_source=chatgpt.com