Edona Bilali:”Ftoj startup-et dhe lehtësuesit e tyre të nisin me përgatitjen e projekt-propozimeve. Thirrja hapet shumë shpejt.”

BLOconomy në kuadër të iniciativës “40 UNDER 40” sjell për lexuesit e saj një intervistë me znj. Edona Bilali, Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes. 

 “40 under 40” është një iniciativë e ndërmarrë nga Wood World Albania dhe BLOconomy.

Unë jam Valbona, Koordinatore Projekti e “40 under 40” dhe në këtë rubrikë sot do të njihemi me znj. Edona Bilali.  Në ekosistemin tonë të startup-eve ne e quajmë “zysha” pasi që prej 2013 ka një kontribut të saj në mësimdhënien, mentorim, trajnimin, vlerësimin e të rinjve që kanë tentuar të promovojnë rrugën e sipërmarrjes. Sot ajo mban postin e ministrit që është në mbrojtje të sipërmarrjes. Kjo intervistë i dedikohet rrugëtimit të saj profesional si dhe synimeve e institucionit përkatës për të ardhur në mbështetje të startup-eve.

  • Znj. Bilali ju keni qenë pjesë e ekosistemit prej vitesh dhe tani jeni në anën e “vendimmarrësve” për sa i përket mbështjes së biznesit në Shqipëri. Sa e lehtë apo e vështirë është për ju të mbani këtë post, tani më që njihni mirë çështjet që kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje në ekosistem?

Pas 11 vitesh në ekosistem, diku si mentore, diku trajnere apo diku si juri duke gjykuar shancet e suksesit të startupeve tashmë e shoh edhe në një tjetër këndvështrim ekosistemin. Për problematikat dhe sfidat e sektorit jam e njohur, fatmirësisht tashmë jam edhe e instrumentalizuar që bashkë me ekosistemin ta vendosim Shqipërinë në hartën e inovacionit dhe komunitetit ndërkombëtar të startupeve.

  • Prej kohësh diskutohet për “projekt – ligjin e startupe-ve”. Në cilën fazë është ky projekt- ligj dhe çfarë pritët të ketë ndryshe në ekosistem si për startup-et ashtu edhe për institucionet ose iniciativat që mbështesin startup-et?

Që prej muajit Mars, Ligji “Për Zhvillimin dhe Mbështetjen e startup-eve” është miratuar në Parlament dhe tanimë dekretuar dhe nga Presidenti. Ligji fillimisht krijon kuadrin ligjor për të gjithë ekosistemin, jep përkufizimet e aktorëve të ekosistemit si dhe qartëson funksionet e palëve brenda tij. Buxheti i dedikuar në shumën 10 milion Euro, do të shpërndahet në formën e granteve dedikuar ekosistemit përgjatë 4 viteve. Ligji përfshin mbështetjen jo vetëm për startup-et por edhe për lehtësuesit e tyre: akademinë (universitetet publike dhe jo publike, arsimi i mesëm dhe profesional), inkubatorët dhe akseleratorët, organizuesit e eventeve, qeverisë lokale si edhe hapësirat e përbashka të punës. Startup-et dhe lehtësuesit e tyre do të kenë mundësinë të vetëdeklarohen si të tilla, në e-albania në faqen dedikuar ekosistemit. Prej momentit të vetëdeklarimit startup-et, pajisen me pashaportën e startup-eve dhe përfitojnë nga periudha e inkubimit prej 24-muajsh ku mund të marrin këshillim dhe mentorim prej “startup one-stop-shop” pranë Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.

  • Kur do të nisin thirrjet për aplikim me mbështetje financiare dhe know how i startup-eve në ekosistem dhe i “lehtësuesve”?

Gjej rastin që duke i dhënë përgjigje kësaj pyetje në të njëjtën kohë të ftoj  gjithë startup-et dhe  lehtësuesit e tyre të nisin me përgatitjen e  projekt-propozimeve duke qënë se thirrja për apklikime do të hapet shumë shpejt.

  • Në Evropë vetëm 15.5% e startup-eve janë themeluar nga gratë. Si e shikoni ju këtë proces në Shqipëri për sa i përket pjesëmarrjes së grave në sipërmarrje? A ka ministria ndonjë projekt/ iniciativë dedikuar grave në sipërmarrje?

Në fakt në Shqipëri kemi një shumëllojshmëri programesh të dedikuara për gratë sipërmarrëse si edhe gratë në sektorin e teknologjisë së informacionit. Thirrjet dedikuara startup-eve nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes synojnë që në kriteret e aplikimeve, sipërmarrjet e ngritura nga gratë ose programeve të dedikuara për gratë sipërmarrëse të kenë prioritet.

  • Për të gjithë ato lexues duan të futen në rrugën e sipërmarrjes, bazuar në eksperiencën tuaj cila është këshilla që ju dëshironi të jepni ?

Suksesi kërkon punë dhe përkushtim, por ndoshta më shumë se çdo gjë kërkon pasion. Ju duhet të jeni të parët që të besoni tek ideja juaj dhe nga moment mos të pushoni së punuari në drejtim të suksesit të saj. 

 Shumë faleminderit për kohën tuaj znj. Bilali! Ishte nje kënaqësi për mua që realizuam këtë intervistë frymëzuese për lexuesit e BLOconomy.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *